Dyshime të forta janë ngritur mbi besueshmërinë e sistemit gjyqësor të Belgjikës për shkak të trajtimit jo te duhur, apo mosmarrjes se provave në një çështje të rëndësishme arbitrazhi midis biznesmenit italian Francesco Becchetti dhe Republikës së Shqipërisë.

Në lidhje me këtë çështje, Becchetti fitoi një shpërblim prej mbi 100 milion eurosh nga gjykata e arbitrazhit, ndërsa Shqipëria ka apeluar vendimin duke paraqitur prova të reja që vënë në dyshim legjitimitetin e shumës monetare.

Me një vendim të datës 17 tetor 2024, gjyqtari i sekuestrimeve në gjykatën e shkallës së parë të Brukselit vendosi zbatimin e menjëhershëm të vendimit dhe kërkoi që Eurocontrol që mban fondet e Shqipërisë të transferojë menjëherë shumën e fituar nga Becchetti në arbitrazh tek përmbaruesi i biznesmenit italian.

Urgjenca dhe nxitimi me të cilin u mor vendimi në Belgjikë janë shqetësuese veçanërisht duke pasur parasysh ankimimin e bërë nga Tirana në gjykatën e lartë të Belgjikës dhe në gjykatën e apelit në Paris dhe provat e reja që janë paraqitur.

Një ndër shqetësimet kryesore, e cila përmendet në artikullin e gjatë të EUREPORTER, është refuzimi i gjykatës belge për të pranuar dhe analizuar provat e reja. Dokumentet e paraqitura para trupit gjykues sugjerojnë se Becchetti ka manipuluar procesin e arbitrazhit përmes praktikave korruptive. Këto prova përfshijnë akuzat që tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë midis Becchetti, si dhe manipulimin e rezultateve të arbitrazhit përmes ndikimit të jashtëm.

Në artikull rënditen faktet që janë hedhur poshtë provat e reja “Becchetti organizoi skemat e “mashtrimeve të paramenduara” për të manipuluar rezultatet e arbitrazhit. Kjo dyshohet se është bërë përmes lidhjeve dhe praktikave korruptive, duke i mundësuar atij të ndikojë padrejtësisht në vendimet në favor të tij.”, thuhet në artikull.

“Këshilltari i Becchetti në çështje mbajti një marrëdhënie të ngushtë personale me kryetarin e gjykatës së arbitrazhit, duke kompromentuar më tej integritetin e procedurave.”, është një tjetër provë e renditur në EUREPORTER.

Sipas medias evropiane, duke hedhur poshtë këto prova pa një shqyrtim të plotë, gjykata le të hapur mundësinë që të keqpërdoren parimet e transparencës dhe drejtësisë.

Përveç shqetësimeve mbi integritetin e procesit gjyqësor, ka pasur edhe pyetje mbi shpejtësinë me të cilën gjykata e ka shqyrtuar këtë çështje. Shpejtësia e vendimit në një rast kaq kompleks duket e papërshtatshme, veçanërisht kur janë ngritur akuza të rënda korrupsioni.

Vendimi i gjykatës për të detyruar Tiranën zyrtare t’i japë paratë biznesmenit Becchetti, ka krijuar shqetësime të mëdha për pasojat ekonomike dhe juridike për vendin. Shqipëria, si anëtare e Eurocontrol, përballet me rrezikun e humbjes së fondeve të rëndësishme që përdoren për menaxhimin e sigurisë së aviacionit. Po ashtu, sipas medias evropiane, vihen në rrezik interesat e saj kombëtare dhe ato të vendeve të tjera anëtare.

Sipas, EUROPORTER, një hetim më i thellë mbi rrethanat e këtij procesi dhe vendimmarrjes është i nevojshëm për të rikthyer besimin në sistemin gjyqësor belg.
Tirana ka filluar veprimet për ankimimin në Gjykatën e Apelit në Paris dhe ka paraqitur një kërkesë rishikimi në “Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve”. Shqipëria po ashtu ka hapur edhe një çështje tjetër në Gjykatën e lartë të Belgjikës për të provuar se këto para nuk mund të jepen, pasi janë të rëndësishme për sigurinë e kombit dhe 41 vendeve të tjera pjesë e Eurocontrol.

PROVAT E PARAQITURA NE SISTEMIN GJYQESOR TE BELGJIKES

 

  • Becchetti organizoi skemat e “mashtrimeve të paramenduara” për të manipuluar rezultatet e arbitrazhit. Kjo dyshohet se është bërë përmes lidhjeve dhe praktikave korruptive, duke i mundësuar atij të ndikojë padrejtësisht në vendimet në favor të tij.

 

  • Në çështjen kundër Republikës së Shqipërisë Becchetti personalisht foli me gjyqtarin e arbitrazhit dhe siguroi një marrëveshje, që çështja të jetë në favor të tij.

 

  • Në një rast tjetër të arbitrazhit Becchetti manipuloi rezultatet përmes marrëdhënieve të korruptuara.

 

  • Këshilltari i Becchetti kishte një marrëdhënie të ngushtë personale me kryetarin e gjykatës së arbitrazhit, duke kompromentuar më tej integritetin e procedurave.

 

  • Eksperti i përdorur për çështjen, i cili sugjeroi shumën prej 100 milion Eurosh, pranoi se ai gënjeu gjykatën e arbitrazhit. Në këtë mënyrë ai konfirmoi se nuk i ishte bërë asnjë dëm Becchetti.