Frrok Çupi
A jemi një shoqëri ku po e kërkojmë ‘të zezën’ edhe aty ku nuk është? Fatin e zi, ne shqiptarët nuk e lidhim aq shumë me njeriun me ngjyrë; ne na miklon vuajtja, humbëtira, të qarët, varfëria, tregimi me dhunim, ky vend që ‘nuk bëhet’….. Ndryshe ndodh në botën tjetër të madhe ku ‘e zeza’ bën një lidhje të menjëhershme me ngjyrën e negrove.
Bota atje është ndërkryer, prej javësh, në një luftë absurde që në më të shumtën po e quajnë ‘mes të zinjve e të tjerëve’, por ku një shumicë janë të bardhë. Edhe pse ‘Blak Lives Matter’ tanimë është thjesht një parti politike, pa asnjë lidhje me jetën e zezë, ata e mbështesin kauzën te ‘e zeza’ dhe po i venë flakën Amerikës, Britanisë… Edhe të bardhët, në njëfarë mënyre, kanë hyrë në rreshtat e ushtrisë ‘së zezë’. Moto e aplikuar së fundmi: ‘White silence is white violence’ (Heshtja e të bardhëve është dhunë e të bardhëve), po sjell frymën e paprecedent në këtë epokë moderne: Një grup i vogël po tërheq zvarrë shoqërinë, pavarësisht nga ngjyra. Grupimi i vogël e minoranca edhe mes nesh si shqiptarë, ndonëse jo negro, kanë marrë përsipër kulturën tonë dhe po e detyrojnë shoqërinë që t’i bindet vullnetit të tyre: Atdhe të sharë para botës, grumbull plehrash, narkoshtet, himn për bukën e gojës, jo bibliotekws, jo parkut, jo mbikalimit, jo të pasurve.
Paradoksi: Edhe pse nuk kemi negro, kërkojmë fatin ‘e të ziut’. Madje edhe një negro i vetëm që u gjend në vendin tonë të dielën e kaluar, u pikas nga Presidenti i Republikës, u thërrit në rezidencën e tij, dhe presidenti iu ul në gjunjë për fotografi në fb. Mesazhi politik i kreut të shtetit shkon larg dhe do të thotë se ‘Republika ime, në këtë ndeshje botërore, vihet në krah të ‘Black Lives Matter’ ose edhe me ‘Antifa’’. ‘Thika’ alegorike e presidentit i drejtohet Amerikës, me të cilën presidenti i ka punët keq; dhe me këtë rast i thotë se ‘mbështes shkatërrimtarët e tu’. Ndërsa brenda vendit, lavdërimi i ‘fatit të zi’ është një strategji e presidentit dhe e një pjese të madhe të politikës në vend. Sa më zi të vajtohet fati i kombit, aq më mirë fshihen banditët dhe hajdutët e pushtetit.
Strategjia është kjo:
E ulëta të tërheqë zvarrë të lartën; e prapambetura ‘lulëzon gërmadhash’ dhe i zë rrugën përparimit; primitivizmi nuk e lë modernizimin e shtetit; kastat e vjetra sunduese nuk hapin rrugë për ndryshim… E gjitha realizohet duke luftuar dy kategori shoqërore: Shtresën e mesme dhe klasën e të pasurve. Të gjithë mund të ulim kokën në qoftë se një shef i shtetit ose edhe një media, trimëron pjesën e ulët. Këta kanë frikësuar pjesën e lartë. Gati dy vjet qytetarët e Tiranës nuk i hapen dritaret sepse andej nga Unaza e re bëhej luftë për të mos lejuar ndërtimin e Unazës së Madhe. Te Teatri i vjetër u mblodh gjithë paaftësia dhe ultësia teatrore për 27 muaj në mbrojtje të mos- ndërtimit të Teatrit të ri. Presidenti i republikës, nuk dekretoi ligjin për lirimin e jahteve nga disa taksa dhe tha publikisht ‘duhet mbajtur ana e të varfërve’. Kryetari i Opozitës gjurmon më të varfrit në treg dhe iu premton se ‘për ju do të punojmë’ nëse vijmë në pushtet. Disa gazetarë dhe politikanë, kur ndërtohej Rruga e Kombit, patën deklaruar se ‘ato fonde më mirë t’u ndaheshin paga mësuesve’. Po, mirë, po do të groposemi? Se kjo pikërisht këtë do të thotë…
‘Të zinjtë’ e kanë vënë veten në pozita inferiore, por me këtë rast po rrënojnë jetën e të tjerëve. Mirë se në Minneapolis të Amerikës policia vrau barbarisht George Floyd, një njeri me ngjyrë, po pse duhet të vuajnë ata që kritikojnë dhunën e rëndë të ‘Blak Lives…’ pas vrasjes? Askush nuk e di çfarë krimi bënë dy gazetarë londinez, por sot e kësaj dite janë të pezulluar nga puna: Stu Peters, prezantues në Radio Radio, është në pritje të një hetimi për një debat në ajër me një telefonues të zi. Ai nuk tha asgjë raciste, ajo që bëri ai ishte shkatërrimi i idesë së privilegjit të bardhë: ‘Unë nuk kam pasur asnjë privilegj më shumë në jetën time sesa ti’, i tha të ziut. Martin Shipton, reporter kryesor për Western Mail, i është kërkuar të tërhiqet si anëtar i konkursit të Librit të Vitit në Uells, për disa tweetime që postoi në lidhje me protestat e BLM në Cardiff. Edhe me kolegët tanë këtu në Tiranë, kështu ndodh. Gazetari i TCH, Denis Dyrnjaja, veç pse kërkoi që Fondacioni ‘Firdeus’ i Evis Naçit të hetohet mbi dyshimet për manipulim fondesh, gazetari u vu nën breshërinë e linçimeve prej ‘të varfërve’ që ushqehen me thërrimet e Elvisit. Edhe shtei heshti. Askush nga pjesa e ‘bardhë’ nuk i doli në krah. Se tani askush nuk guxoka të kontestojë ‘fatin e të ziut’, përndryshe dënohesh pa gjyq. Kjo është fryma që po përhapet, së pari që nga piramida e shtetit, njësoj siç u përhap komunizmi ‘i mëshirshëm’ pas Luftës së Dytë.
A mund ta ndërtojmë shtetin modern në këtë mënyrë? Sepse si shteti i pas- Luftës me opinga partizanësh dhe i pas- Demokracisë me gjykatës plepash, nuk do të thotë se kombi ka shtet dinjitoz. Në konotacion me fjalën e deritanishme, i bie që të themi ‘i ziu komb!’.
Lufta është e vërtetë, por jo mes racave; ‘e zeza’ dhe ‘e bardha’ janë vetëm maska. Pikësynimi është kthimi në ‘Vitin Zero’. Ne si komb e kemi pasur afër Vitin Zero, para 20 vjetësh. Në vitin ’97 njëra pjesë- pjesa gjigande që është kombi- u gropos në Zero. Ndërsa pjesa e vogël- shtetarë të vendit dhe pastrues parash kriminale- u ngjitën në qiell me pasuritë e tyre… Jo, ky është thelbi pse e kërkojnë vitin Zero, që nga ëndrrat e tyre e deri në sulmet me molotov mbi shtetin, rrugëve. Prandaj thërrasin turmat, të verbrit, sepse turmat janë mjeti më i pasionuar për t’u kthyer në vitin Zero. Fuqia e verbër e turmave mund të shkatërrojnë shtetin më të fortë. Pse kërkohet pikërisht tani viti Zero- 1997? Sepse shefat kërkojnë t’u pastrohen hapësirat publike, tu pastrohet rruga e ‘okupuar’ nga e kaluara dhe nga e sotmja. Pjesën tjetër e marrin në dorë vetë: Lumpenin, varfërinë, marrëzinë, mëshirën, anarkinë, hajdutërinë…
Këta ishin gati, por kësaj here morën shkas nga ‘Blak Lives…’në Amerikë dhe në Britani. A nuk e rrëzuan dhe e hodhën në lumin Avon statujën e Edward Colston-tregtarit dhe skllevërve të shekullit të 17-të? Menduan se po çliroheshin nga e kaluara, duke u kthyer te e kaluara. Në fakt përsëriten Talibanët, këta si talibanë më të ri. Para botës kjo me të vërtetë solli në mendje guximin me të cilin anëtarët e Isis shkatërruan Luanin e Al-Lāt të shekullit të parë në Palmyra. Edhe ata kështu thanë, se monumenti i Luanit ishte i dëmshëm, fyes, kundër me sistemin e tyre të besimit.
Këta këtu, si ata në Amerikë e Britani, edhe këta tanët që shtyhen drejt Vitit Zero, nuk do të kapeshin më mes turmave të varfër. Thjesht maska ‘e zezë’ i ndihmon djajtë që të harrohen.
VERITAS.COM.AL/