Frrok Çupi

Duhej ndërprerë biseda. Moderatori i programit iu drejtua më shumë shikuesve se të ftuarve. Në ekran u shfaq fashoja ‘’Break News’.

“Ja, ja, më në fund!’…bëri dy herë moderatori, dhe u drejtua nga ekrani.

Ishte njësoj si të priste dikë që sillte në duar lajmin e vërtetë.

Lajmi shoqërohej me figurë. Gjithë dritat e katit të parë të selisë së Qeverisë, ishin ndezur.

“Ivanka Trump arrin në kryeministri. Pritet nga Rama me përqafime”, u tha. E thanë edhe ekranet që ‘plasën nga inati’ pse ndodhi. Të gjithë të frikësuar nga realiteti.

Gjithë dita sot ka qenë e mbushur me lajme lloje- lloje, të fuqishëm dhe njëkohësisht me zëra që hanë vetveten. Që në mëngjes, zëri i opozitës nisi të hajë bishtin e vet. Pasdite nuk kishte mbetur gjë as nga koka e lajmit të opozitës. Ishte ngrënë e tëra. Fillimisht tha se opozita nuk e pranon veprimin e shpejtë parlamentar për të miratuar Bordin e Paqes në botë, themeluar nga presidenti Trump. Në pasditen e hershme u vu në radhë për të votuar pro Ramës në Bord dhe kundër vetes.

Në Shtëpinë e Bardhë dhe në Davos ku ndodhet Donald Trump, mbërriti lajmi se ‘ata nuk e pranojnë Amerikën’. Ku kishte kohë për hollësi. Pasdite nuk pinte më ujë. Lajmi dhe autori i aktit kishin ngrënë veten që paradite. Votimi pro i pasdites nuk kishte më vlerë. Opozita me në krye ‘non- grata’ prapë u shënua inatçore dhe armike me Perëndimin.

Kur erdhi regjistrimi me zë e figurë, ishte aty nga ora 20:30. Kudo në fjalëtore ishin dystuar për të shpikur lajme se si ‘Trump do të arrestojë Ramën sapo të zbresë në Uashington”. Lajmi se ‘do të vijë helikopteri amerikan për të rrëmbyer Edi Ramën’, kishte rënë që paradite. Tani ishin ngritur alibi të tjera:

Se Trump ka dërguar të bijën që të okupojë Ramën për të mos shkuar në Davos

Se Ivanka nuk e ka takuar Ramën në tokë shqiptare, por në një anije mes detit.

Ishte ora aty rreth 20: 30 kur asnjë nga fjalëtarët media e politikë, nuk mund ta mendonin dështimin. Atëherë erdhi. Ivanka Trump zbriti nga makina, përqafohet me Ramën dhe i drejtohen zyrës së tij. Ka një projekt të madhj zhvillimi dhe investimi në vend.

Të gjitha të thënat e ditës nisën të hanë veten. Madje edhe vetë përsiatjet filozofike.

-Çfarë do të bëjë Shqipëria tani e tutje? Me Amerikën apo me Europën?

Çfarë kemi bërë deri tani?, do të ishte përgjigja menjëherë. Përveç kohëve kur liderët tanë e kanë sulmuar Perëndimin. Që në ditën e parë kur Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve, dhjetor 1920, u mbështet nga presidenti amerikan Wilson dhe aleatët europianë. Edhe atëherë, një publicist e prezantonte Shqipërinë, Fan Noli.

-Bordi i Paqes është i përkohshëm!, u tha.

Po, i përkohshëm, ndoshta. Çfarë është e përjetshme në këtë botë? Veç zoti. Liderët e botës perëndimore që aderojnë në ‘organizma diplomatik të vdekshëm’, e bëjnë këtë për arsye njerëzore. Sepse institucionet janë të ndryshueshme, madje edhe të vdekshme. Liderët e dobishëm kapin momentin për të krijuar garanci dhe mbrojtje për kombet e tyre. Vatha jote duhet ruajtur përditë. Aq më tepër për rastin tonë shqiptar. Nuk kemi pasur kurrë farefisni, tani po radhitemi për herë të parë fuqishëm drejt Perëndimit.

Më bën përshtypje se njerëz që vishen te Gabi, kërkojnë institucione të pavdekshme.

Nuk jetohet me nostalgji. Veçanërisht amerikanët nuk pengohen nga tradita.  As nostalgjia e OKB, as nostalgjia e perëndive të vdekura. Aq më pak me nostalgjinë për një ndërtesë të vjetër teatri apo televizioni publik. Apo nostalgji për një tortë të hedhur në shesh për ‘pulat’.

Po ashtu, nuk jetohet duke shikuar me sy poshtë. Kush krijon lajme pa vlerë, e bëjnë edhe pse aq duan e aq dinë. Tekefundit, tre dekada pas izolimit, nuk mundën të mësoheshin që të jenë pjesë e lartë e shoqërisë.

Tani që erdhi dita, çfarë bëjnë?

… Shumë fjalë, fjalë e fjalë. Derisa u hapën dritat e selisë qeveritare në Bulevard dhe u shfaq e bija e presidentit Trump me kryeministrin Rama. Deri tani ende nuk kanë thënë se ‘nuk ishin ata’. Pritet.

V.O: Po Llapaj që kishte zënë një qoshe në bulevard, ç’u bë në atë moment?

 

 

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *