Filozofi dhe komentatori politik, Blerim Latifi, fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Këshillin e Evropës e ka konsideruar si një nga më të fuqishmit në hitori të ligjërimit politik shqiptar.
“Jam krejtësisht i bindur se fjalimi i sotëm i Edi Ramës në Këshillin e Evropës do të mbahet mend si një ndër fjalimet më të fuqishme në krejt historinë e ligjërimit politik shqiptar”, ka shkruar, shkurt, Latifi në Facebook.
Rama, në një fjalim për gati një orë ka nxjerrur në pah absurdin e një rezolute nga KiE e cila bazohej në një raport të sponsorizuar në Rusi dhe akuzonte liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se janë pjesë e një grupi kriminal që merret me trafikim organesh.
Arsyeja pse Shqipëria po vjen me një kundër-rezolutë tash dhe jo më parë, Rama tha se ishte një pritje e Shqipërisë për të parë se çfarë do dilte “përkundër se e dinim që s’do dilte gjë”.
“Ne pritëm, por s’doli gjë. Kjo rrenë është fabrikuar në Moskë dhe viktima e parë e këtij shtrembërimi jeni ju, të gjithë ju. Lajmi i Rremë u bë raport dhe raporti rezolutë. U keqorientuat dhe në fund minuat të vërtetën dhe drejtësinë. Veprimet tuaja të një dekade më parë, kanë shkaktuar një shtrembërim të dinjitet njerëzor”, deklaroi Rama.
Për ta shpjeguar çfarë ka ndodhur gjatë 11 vjetëve, kur nga një libër me kujtime i prokurores Carla Del Ponte – “e ju e dini si shkruhen ato” tha Rama – u ngurtësua një raport nga një anëtar i partisë së Vladimir Putin-it, dhe më pas mori formën e një rezolute të KiE-së, Rama ka përdorur edhe referenca letrare.
Një pjesë e fjalimit të Ramës është koncentruar edhe në dualitetin që bashkësia ndërkombëtare ka përdorur në rastin e Kosovës, kur fillimisht vetëm bëri përpjekje për ta çliruar një vend që jetonte në robëri dhe më pas po vetë, përmes mekanizmave të saja, vuri në mëdyshje gjithë atë ndërhyrje që në thelb kishte aksionin humanitar për të drejtat e njeriut.