Policia ka publikuar pamje nga aksioni 12 orësh, që u përball me rezistencë të dy personave të dyshuar për kryerjen e veprimeve terroriste.

Blutë kanë zbuluar detaje rreth operacionit “Oroshi”, që u mbyll me vetëdorëzimin e Julian Cumrraku dhe Arben Uka.

Në banesë iu gjetën 5 armë zjarri, municion luftarak, granata dore difensive, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, përfshirë flamurin e ISIS.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “OROSHI”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pukë, strukturat e DVP Shkodër dhe Drejtoria e Antiterrorit, me mbështetjen e Forcave Speciale Renea.

Dy shtetas kërcënuan me jetë punonjësit e Policisë së Pukës, u mbyllën në banesë dhe reaguan me armë ndaj forcave Renea, duke rrezikuar jetën e tyre.

Pas 12 orësh rrethim, pamundësisë për t’u larguar dhe negociatave me të afërmit, ata u vetëdorëzuan. Në momentin e vetëdorëzimit, shtetasi E. U. kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 5 armë zjarri, municion luftarak, 17 granata dore, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.

Personat e arrestuar janë E.U., 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve” si dhe J. C., 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje”, njofton policia.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *