Koment/
Presidenti i Republikës, Ilir Meta sot, e dielë, ka ‘fluturuar’ drejt Prishtinës në një takim me Ramush Haradinaj, tashmë i dorëhequr nga posti i kryeministrit. Lajmi bëhet i ditur nga vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook, të cilin e shoqëron edhe me foto nga takimi.
“Kënaqësi e veçantë të takoj sonte në Prishtinë Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, bashkë vajzën Borën. Rast i mirë për të këmbyer mendime rreth aktualitetit politik në Kosovë, Shqipëri dhe rajon. Në proceset që po kalon Kosova, angazhimi i përbashkët përballë sfidave e fuqizon faktorin shqiptar”, – shkruan Haradinaj.
Po pse vallë, në një ditë pushimi kur zoti Meta, normalisht ia dedikon lakuriqësisë së detit ku edhe poston shumë foto, është i detyruar të marrë rrugën e nxehtë të Kombit drejt Prishtinës?
Nuk është vetëm një ditë pushimi, por edhe një ditë ndoshta para ndalimit gjyqësor të Haradinaj për t’u pyetur nga Gjykata Speciale e Hagës. Nxitimi i Metës ka lidhje me frikën se nesër Ramushi nuk do të jetë i lirë dhe ky ka dy fjalë për t’i thënë. Ndodhemi vetëm një vit pasi verës së kaluar kur Meta e kaloi gjithë stinën e nxehtë në udhëtim enigmatik në malet e Kosovës, nën kujdesin e Haradinaj. Çfarë fshehu ‘Monte Kristo’ në ato male?! Apo çfarë plane u thurën? Mbase dy figurat e pushtetit kanë folur për disa plane që tani nuk po realizohen, ose po zbulohen ne dobi te kombit shqiptar ne te dy anet…
Apo Meta po shikon te Haradinaj një ‘viktimë’ te akteve të veta të kryera dikur më parë, dhe tani duhet të përgjigjet para ligjit? Nëse është kjo, atëherë Meta po parandjen plagët e rënda të gjykimit për veprat e tij korruptive, etj. SPAK dhe Reforma e drejtësisë janë dy armiqtë e Metës, të ngritura me iniciativën amerikane. Ndoshta Meta ka ndjerë se duke folur me Haradinaj mund të mësojë diçka për fatin e vet përballë Drejtësisë së Re. Por Haradinaj, në fakt, duket se nuk ka lidhje me afera korruptive si Meta, ai ka lidhje me ‘luften’ e kaluar dhe me keqperdorimin e pushtetit…
Apo Meta e shikon Haradinaj si viktimë të amerikanëve? Fakti që gjykata speciale kryesohet nga një amerikan ka bërë që disa studiues të dalin në konkluzionin se pas dorëheqjes së Haradinaj qëndrojnë amerikanët. Por edhe fakti që kryeministri i Kosovës nuk u tërhoq para tarifave ndaj Serbisë, i shqetësoi amerikanët, është një indicie për ta lidhur dorëheqjen Haradinaj me një spektër të politikës amerikane. Ndoshta edhe Meta e ka menduar kështu e prandaj i është drejtuar Prishtinë për të bërë një aleancë anti-amerikane me Ramushin si ‘viktime e Amerikes’ . Ilirit, tashmë nervoz e konfuz, i sngazhuar egër kundër politikës së Shteteve të Bashkuara, i shkon mendja edhe në të tilla aleanca, siç ka bërë zakonisht në aleancat për pushtet.
VERITAS.COM.AL/