Franca duket se ka në plan t’i rrëzojë shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit tani shpejt; burime diplomatike thanë për Reuters se Parisi ua bëri të qartë anëtarëve të tjerë të Bashkimit Europian këtë javë se ishte kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me të dy vendet, duke hedhur kështu një hije të errët mbi aspiratat e tyre për integrim me Perëndimin
Më shumë se gjysma e 28 anëtareve të bllokut si dhe zyrtarë të lartë në Bruksel, janë përpjekur t`i shpërblejnë të dy vendet për reformat duke rënë dakord për çeljen e bisedimeve të pranimit. Ata paralajmërojnë se Rusia, Kina apo Turqia mund të përfitojnë nga një “vakum strategjik” në rajonin e trazuar nëse BE-ja nuk arrin ta bëjë të prekshme perspektivën e tyre për tu bërë pjesë e saj.
Por Franca thotë se BE-ja përballet me shumë sfida e nuk mund të lejojë të hyjnë edhe dy shtete të tjera nga Ballkani, një rajon ende i shënjuar nga luftërat e viteve 1990 dhe që ka akoma punë për të bërë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit
“Ata nuk kanë plotësuar ende kushtet. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë përpjekje të reja’,- tha një zyrtar francez, shkruan “Reuters”. Sipas kësaj agjencie lajmesh negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk mund të hapen pa një vlerësim të dytë dhe ky pritet të bëhet gjatë vitit 2020.
‘Negociatat nuk mund të hapen në Tetor të 2019, por ne do të duhet të rivlerësojmë situatën në vitin 2020’- shtoi zyrtari francez.
Veritas.com.al/