Dënohet me 17 vite burg biznesmeni italian Francesco Becchettin, i cili akuzohet se përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash. Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar. Becchetti u akuzua për 4 vepra penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Bashkëpunëtorin e tij italian Mauro De Renzis u dënua me 16 vite burg për “Falsifikim të dokumenteve”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Krijimi i skemave mashtruese”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Kontrabandë me mallra të tjerë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Me 8 vite burg është dënuar e ëma e Becchetit, Liliana Condomitti dhe 8 vite për Erjona Troplini, të cilat akuzohen për “Pastrimi të produkteve të veprës penale”. Ndërsa Stavri Peci dhe Fetah Dervishi janë dënuar me 2 dhe 3 vite shërbim prove për shkak të moshës
Gjykata ka vendosur edhe që 4 kompanitë e sekuestruara Becchettit, konkretisht për “Energji” sh.p.k. “Cable System” sh.p.k, “400 KV” sh.p.k dhe “Agon Set” sh.p.k i kalojnë shtetit.
Vendimi është marrë nga gjyqtarët Lazer Sallaku, Besnik Hoxha dhe Sokol Pasho. E pranishme në seancë ishte vetë drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Ymeraj, e shoqëruar nga prokurorët Mirela Cano dhe Leonard Filopat.