Frrok Çupi
Të dy palët, si fshatrat tanë edhe gropat e Hënës, aty kanë qenë në shekuj.
Por të dyja palët u zbuluan këtë vit, ose edhe vitin e kaluar. Një ekip studiuesish ndërkombëtarë ka gjetur provat e para të drejtpërdrejta që gropa më e thellë e njohur e hënës lidhet me një shpellë që mund të sigurojë strehim për astronautët; viti 2022.
Ka ndodhur motamo e njëjta gjë, si për satelitin që ndodhet mijëra milje larg Tokës, ashtu edhe për një katund rrëzë kryeqytetit tonë.
Nuk ju kujtohet kur këtu në qendër të Tiranës i flitej tjetrit me romuze: ‘A prej Momli je ti?’, si me thënë ‘në fund të Botës’. Momli ishte fshati i tanishëm Mamli, por që mendohej si në hënë. Tani Mamli është ai fshat mes Tiranës dhe Elbasanit, ku mbërrin për dhjetë minuta me makinë dhe ku mahnitesh nga peizazhi e nga eleganca e ndërtimeve. Tani në Mamël pasanikët e Tiranës nuk po gjejnë dot 200 metra katrorë truall për të ngritur një shtëpi…
Gjëra të shumta, sa një planet i tërë, të vijnë në mendje po e hape këtë kapitull. Çerdhen e fantazisë për të njohur vendin ‘ku na ka rënë koka’ dhe për të cilin ‘japim kokën’, e zgjoi sidomos zhvillimi i turizmit. A e dini se shumë katunde tona na i kanë zbuluar turistët e huaj; dhe pasi kanë lavdëruar këta, psh., ‘o sa bukur në Bogë’., qindra familje kanë ndezur shërbimin Web ‘Google Map’ në Iphonët e tyre dhe i janë drejtuar fshatit mes Shkodrës e Thethit.
Në lajmet njërit nga Tv-të e mbrëmjes, edhe pse nuk e kisha aq shumë vëmendjen, më mbeti zëri i folëses: ‘Fshatin Shëngjergj të Tiranës, e vizitojnë kryesisht turistë polakë’. Lajmi më tej u plotësua me përshkrimin çfarë shijojnë ata në fshat: Ujëvara, lumi, restorantet, nja kala të vogël mbi fshat ku ka qenë shkolla, dhe miqësinë me banorët deri vonë në mbrëmje…
Këto fshatra të futura mes malesh, janë zbulim si ‘gropat e hënës’. Në fakt edhe vetë banorët e fshatrave po zbulojnë fshatin e tyre dhe vetveten. Ku e dinin ata se çfarë vlere kishte lumi i tyre, sofra e shtruar në oborr, biseda, historia, dhe miqësia që japin më shumë se ujë i kataraktit.
Te sateliti Hënë, shkencëtarët zbuluan të njëjtën ndjesi: Që në vitin 2022 studiuesit konstatuan disa gropa, dhe thanë, (si për Shëngjergjin tonë), se ‘’ haj mo, ç’i do, janë gropa që kanë krijuar anijet e NASA-s’. Por në fakt nuk ishte ashtu. Gropat, deri në 170 metra të thellë, janë me mijëra në Hënë. Modeli i tyre është shpella ‘Mare Tranquillitatis Pit’. Ato shpella jo vetëm që nuk janë krijuar nga astronautët, por mundësojnë jetën e vizitorëve në hënë, thotë zbuluesi i tyre Tyler Horvath, profesor i Kalifornisë. Ato janë surpriza që hëna ka rezervuar ndër mijëra shekuj për njeriun. Temperaturat në hënë janë 250 gradë Fahrenheit (121 gradë Celsius) gjatë ditës dhe bien në minus 208 F (-133 C) gjatë natës. Por në shpella temperaturat janë konstante, 17 gracë Celsius. Strehë perfektë për njerëzit e Tokës.
Kështu zbulon njeriu vetveten.
Më vjen në mendje prapë fraza se ‘turistët polakë e kanë për zemër’ Shëngjergjin. Vendi ynë, një hënë e sapo zbuluar nga turizmi botëror, është kthyer në një hartë ‘okupimesh’ dhe ‘shpellash’ hënore. Kam vënë re se çdo komb ka një preferencë të caktuar në një katund shqiptar.
Në Sarandë ka italianë dhe ukrainas; atyre u duket se është shtëpi e tyre. Në Theth qysh prej kohësh, çekë dhe sllovakë ‘vdesin’ për rrugët e vështira dhe për gatimet e ‘dora dorës’. Në Dibër udhëtojnë e bëjnë ‘konak’ shumë anglezë; aq sa disa gjuhëtarë abuziv që i quajnë edhe ‘sharlatanë’, thonë se ‘gjuha angleze vjen prej dialektit dibran’. Në Kelmend nuk ka vend për turistë të huaj, sepse janë vetë kelmendasit ‘amerikanë’. Kanë migruar prej dekadash në Amerikë, dhe djemtë ‘amerikanë’ kthehen në vilat e tyre të bukura, mbushin rrugët në mbrëmje dhe pikëtojnë vajza për nuse…
Kudo ka një çerdhe të një kombi të caktuar. Komisioni Europian deklaroi se Shqipëria është vendi më i vizitueshëm, këtë vit gati dyfishi i vitit më parë.
Gjithë historinë tonë miqësore me të tjerët, vendin e kemi pasur me ngjyra dhe me shije- shije. Siç katundet e Veriut mbaheshin për ‘katund i Edith Durhan’, ndërsa Tepelena e poshtë si domain i Lord Bajron.
Tani janë rritur shpejtësitë, si me hënën…, ja vetëm kaq.