Një nga gazetaret më të njohura të turizmit në Francë, Saliha Hadj-Djilani është mahnitur me bukuritë shqiptare. Ajo ka zhvilluar një vizitë katër ditore në Shqipëri.
Vizita e saj nisi nga Tirana për të vijuar më pas me rivierën shqiptare, ku është pritur edhe nga kryeministri Rama.
Për turistët francezë, Shqipëria mbetet ende një vend i pasigurtë, ndërsa Saliha shprehet se sipas bindjes së saj, vendi ynë është një parajsë natyrore me çmime të lira, që në pesë vite e ardhshme do kthehet në destinacion kryesor:
Saliha Hadj-Djilani: T’ju them të drejtën nuk kam dëgjuar fjalë të mira për vendin tuaj para se të vija. Më thonin që nuk ishte një vend i sigurtë, por unë u bëra kurioze dhe vendosa të vij. Kur erdha isha e surprizuar, sepse po ndihesha shumë e sigurtë, si grua e vetme që isha. Keni një pikë të fortë në turizëm që nuk keni mbipopullim turistësh, nga e cila vuajnë vende si Italia ose Spanja. Prandaj, jami e sigurtë që do jetë destinacioni kryesor për shumë njerëz në pesë vitet e ardhshme. Tirana më pëlqeu shumë me arkitekturën e saj mikse, sheshet e mëdha dhe sidomos muzetë Shtëpia e Gjetheve dhe BunkArt, që e tregonin më qartë historinë e komunizmit.. Ishte një qytet që nuk të mbyste siç është Nju Jorku.
Më pas vizitova pjesën e rivierës së jugut. Më pëlqeu shumë deti i bukur dhe i pastër. Gjithashtu atmosfera festive nëpër klube dhe natyra e njerëzve, që ishte e gëzuar, dukej fiks si në Saint Tropez.
Në Shqipëri mendoj se çmimet dhe ushqimet janë shumë të mira, por edhe akomodomi. Çmime shumë të përballueshme për një francez.
Jeni në të njëjtën ligë te standardet e turizmit me vendet e rajonit si Greqia dhe Kroacia, por ndoshta duhen të rregulloni akomodomin. Duhet të ndërtoni më shumë hotele. Për turistët francezë do ishte parajsë të vinin në Shqipëri ku nuk ka kufizime të rrepta.
Sipas gazetares franceze vendi ynë duhet të përmirësojë imazhin e saj nëpër botë:
Saliha Hadj-Djilani: Nuk do jetë e lehtë t’i bind francezët të vijnë në Shqipëri, sepse nuk e njohin, por unë do ti them që shikoni, isha atje dhe mbijetova. Unë mendoj që vendi juaj duhet të përmirësojë më shumë imazhin. Do të sugjeroja që të keni borde turizmi në vende europiane dhe botërore. Kroacia po bën një punë shumë të mirë në këtë drejtim dhe as ju nuk duhet të mbeteni mbrapa.”
Gazetarja e mirënjohur do të flasë për udhëtimin e saj në Shqipëri në një nga emisionet më të mëdha radiofonike në Francë RMC, që ka audiencë rreth 1 milion njerëz. Gjithashtu ajo ka ftuar në podcastin e saj kryeministrin Rama dhe kryetarin Veliaj, në një bisedë të gjatë për të ardhmen e turizmit shqiptar.