GJKKO thërret më 14 dhjetor Shkëlzen Berishën dhe Aldo Bumçin. Ata do të pyeten në cilësinë e dëshmitarit në seancën gjyqësore për ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu I cili akuzohet për shpërdorim detyre në masakrën e 15 marsit 2008 në Gërdec.
Bumçi dhe Berisha janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake në lidhje me faksin me shënimin “për Shkelzenin”, ndërkohë që SPAK, dyshon se djali i ish-kryeministrit ka pasur takime me ministrat para dhe telefonata menjëherë pas shpërthimit në Gërdec.
Seanca e sotme u shty pas kërkesës së Fatmir Mediut i cili kërkonte të ishte pranishëm në seancë por e kishte të pamundur pasi duhet të ishte në parlament për votimin e pr/buxhetit. Në seancën e radhës do të jenë 7 deshmitar të mbetur nga lista e prokurorisë mes tyre edhe Aldo Bumci dhe Shkëlzen Berisha.
Pas rihapjes së procesit për tragjedinë e marsit të vitit 2008, me 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur, në gjykatë kanë dëshmuar deri tani rreth 40 dëshmitarë. Të enjten e kaluar Fatmir Mediu pranoi përgjegjësinë morale por përjashtoi veten nga përgjegjësia ligjore lidhur me ngjarjen.