“Është koha që, më në fund, të fillojmë bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.
Kështu është shprehur ministri gjerman i Shtetit për Çështjet Evropiane, Michael Roth, të martën e 23 nëntorit, për sa i përket shtyrjes së hapjes së negociatave mes Bashkimit Evropian dhe dy vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të dërgojnë një “sinjal fillimi” për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Në përfundim, duke u ndalur te vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila ka qenë dhe shkaku i mos hapjes së negociatave me BE-në, ai tha se, “çështjet dypalëshe midis tyre duhet të zgjidhen në mënyrë dypalëshe”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, më 10 nëntor u ka dërguar një letër konfidenciale të gjithë ambasadorëve francezë të atashuar në vendet brenda BE-së, ku u vendos një ultimatum mbi hapjen e procesit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda vitit 2021.
Sipas burimeve konfidenciale të Albanian Post nga Elysee-ja, dy data janë caktuar nga Macron.
Afati për zgjidhjen e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të jetë 14 dhjetori.
Pra, dy vendet ballkanase duhet të arrijnë brenda kësaj date një marrëveshje mbi veton bullgare ndaj maqedonasve, e cila pengon rrjedhimisht edhe Shqipërinë të hapë negociatat.
Data e dytë është ajo e 31 dhjetorit. Brenda fundit të vitit, Macron ka kërkuar që hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të jetë e faktuar.
Shtyrja e negociatave
Më 22 qershor, sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane të Portugalisë, Anna Paula Zacarias, në një konferencë për mediat në përfundim të takimit, deklaroi me keqardhje se “pavarësisht të gjitha përpjekjeve, nuk u dakordësuan mbi një datë për mbajtjen e një konference ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut”.
Sipas saj, shkak u bë “ngërçi i Maqedonisë së Veriut dhe vetoja e Bullgarisë me parashtrimin e kushteve të saj”.
Ndërkaq, Zacarias sqaroi se kjo çështje mbetet për t’u shqyrtuar në vijim, për të mos e humbur “momentumin e saj”.
Ajo shtoi se Presidenca e ardhshme sllovene do të vijojë me angazhimin e saj mbi këtë çështje që, sipas saj, “mbetet jetike për BE-në”.
Gjatë takimit, ministrat e BE-së “shënuan zhvillimet e fundit”, shpjegoi Zacarias dhe “nënvizuan rëndësinë strategjike dhe realitetin gjeopolitik të procesit të zgjerimit të BE-së që përfaqëson një investim në paqe, demokraci, prosperitet, në sigurinë dhe stabilitetin e unionit”.
Zacarias u shpreh se ministrat gjithashtu “vunë theksin mbi arritjen e një marrëveshje politike me Parlamentin e BE-së në lidhje me rregulloren Ipa III (instrument i ndihmës së para-pranimit), e cila nën presidencën sllovene mund të kalojë në zbatim”, dhe diskutuam të ardhmen e Konferencave ndërqeveritare me Serbinë dhe Malin e Zi.
Vetoja bullgare
Gjatë gjysmës së dytë të ditës, më 22 qershor, Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë konfirmoi sërish pozicionin e saj mbi ofertën e Maqedonisë së Veriut.
“Bullgaria riafirmoi pozicionin e saj mbi perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë Veriore gjatë takimit të sotëm të rregullt të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GCC), ndërsa ishte e hapur për një dialog konstruktiv me Presidencën e ardhshme Sllovene të Këshillit të BE-së për gjetjen e ndërsjellë të një zgjidhjeje të pranueshme”, shkruhet në deklaratën e tyre zyrtare të publikuar në web.
Bullgaria vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e reformës dhe riafirmoi mbështetjen e saj për miratimin e kornizës negociuese të vendit.
Kushtet e Bullgarisë përfshijnë refuzimin e qartë të Republikës së Maqedonisë Veriore nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë.
Sakaq, ata kërkojnë ndryshimin e mbishkrimeve apo monumenteve që nxisin urrejtjen ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë Veriore.
Autoritetet bullgare rendisin dhe aktivizimin e një procesi të rehabilitimit të viktimave të Jugosllavisë komuniste në kushtet e tyre.
Prej disa muajsh, të dy vendet gëzojnë mbështetjen e plotë të unionit mbi fillimin e procesit. Por, pala bullgare është e vetmja që e pengon atë. /Albanianpost.com