Sipas Deutsche Welle/

Në prag të publikimit të progres-raportit të BE-së po shtohen gjasat që vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në vjeshtë.

Në Gjermani kanë dalë në pah kohët e fundit dallimet mes Partisë Socialdemokrate dhe Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial. Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave. Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 shtator.

Një datë, me të cilën, ministri i shtetit Michael Roth, që është përfaqësuesi më i flaktë i qeverisë gjermane pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është dakord. Siç e tha edhe një intervistë me Deutsche Welle-n, ai mendon se ka ardhur koha që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë një vit më parë ndaj këtyre dy vendeve dhe të japë dritën e gjelbër për negociatat qysh në qershor.

Por edhe pse Michael Roth është përfaqësues i ekzekutivit, nuk mund të thuhet ende me siguri nëse ky është qëndrimi përfundimtar i qeverisë gjermane. Kancelarja Angela Merkel nuk e ka shprehur akoma mendimin e saj për këtë çështje. Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, i pyetur para do kohësh në konferencën e rregullt të shtypit, tha se “vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit”. Por sipas ligjit, qeveria gjermane duhet të marrë parasysh edhe mendimin e Bundestagut para se të formulojë qëndrimin e saj për Këshillin e BE-së në qershor të këtij viti.

Shumica e Bundestagut pro anëtarësimit të Ballkanit në BE

Që shumica e Bundestagut është pro perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor në BE, kjo u vu re edhe nga një debat që u zhvillua para ca kohësh (9 maj) në plenum, kur Bundestagut iu desh të merrej me një kërkesë të partisë populiste djathtiste Alternativë për Gjermaninë (AfD). Partia në fjalë kërkonte që Ballkanit Perëndimor të mos i ofrohej anëtarësim, por vetëm “partneritet i privilegjuar”.

Siegbert Droese, kryetar i grupit parlamentar të AfD-së për çështje të jashtme, tha se sidomos në rastin e Ballkanit Perëndimor, BE-ja duhej “të ndërgjegjësohej për prejardhjen e saj si një bashkësi ekonomike” dhe të orientohej në ekspertizën ekonomike”. Sipas AfD-së, Ballkani nuk i sjell asnjë përfitim ekonomik tregut evropian.”

Kërkesa e AfD-së tani është duke u shqyrtuar nga komisionet përkatëse, por në bazë të deklaratave të deputetëve mund të thuhet se këtë propozim nuk e mbështet asnjë parti e Bundestagut. “E Majta” është në përgjithësi kritike ndaj politikës së BE-së në Ballkan dhe për pasojë edhe kundër negociatave. Sevdim Dagdelen, deputetja e kësaj partie, e akuzoi BE-në se e trajton Ballkanin si “shesh konfliktesh ndërmjet fuqive të mëdha” dhe jo si “partner me të drejta të barabarta”.

Katër partitë e tjera të përfaqësuara në parlamentin gjerman janë më të moderuara dhe për pasojë pro çeljes së negociatave, edhe pse kanë përfytyrime të ndryshime përsa i përket momentit të nisjes së negociatave dhe shpejtësisë së zhvillimit të tyre.

Veritas.com.al/