Frrok Çupi
Emri i Gjok Becit shkruhet Gjok Beci.
S’ka pikë hapësire për debat, aq më pak për nerva dhe pasion. Kjo është histeria që ka mbytur faqet e mediave sociale të disa të njohurve të Gjok Becit në Mirditë. Disa bëjnë sikur dinë shumë, disa nuk thonë gjë, të tjerë sikur dinë gjithçka.
Po çfarë duhet të dish në këtë rast?
Që Gjok Becin shkruaje si të duash, apo siç ka bërë ai në të gjallë Të tij, ose edhe siç të vjen ta shkruash. Të gjitha variantet janë të pranueshme dhe nuk ka vend për konflikt post- mortum. Siç ka pasuritë e veta gjuha dhe sidomos nëndialekti geg i përdorur në Mirditë. Ashtu kanë edhe batica e zbatica emrat katolik Roman që përdoren këtu në shumë shekuj.
Onomastët kanë mbërritur në përfundimin se emri Gjok vjen nga Gjon Pagëzori. Profet hebre i shekullit të Parë, Gjoni pagëzoi edhe Jezus Krishtin. U pranua edhe në Islam, si ‘profeti Jahja’.
Ja kaq është.
Ndërsa mes nesh, pas njëzet shekuj nuk pranohet ‘zbatica’ në emra a në tituj a në profeci.
Po bëhet një debat i madh me rastin e 12 vjetorit të vdekjes së poetit.
Me ç’rast?
Pushteti lokal në Mirditë ka vendosur që Pallati i Kulturës në Rrëshen, të marrë emrin ‘Gjok Beci’. Me këtë rast ka ngulur në mur edhe një tabelë me emrin ‘Gjok Beci’. Kjo nuk i lë rehat, sepse e duan me ‘ë’. Batica dhe zbatica e këtij emri e lejon edhe fundoren ‘ë’, por në rastin kur e ke Gjokën aty dhe i thërret ‘O Gjokë, a po vjen për kafe!?’. Atëherë zgjatet zanorja ’o’ çfarë është normale në të folmen e krahinës.
Me emrin ‘Gjok Beci’ ndodhemi në rrethanat e Gjon Pagëzorit, të emrit Gjon e Gjin. Sipas onomastëve.
Gjok Beci është shumë i afërt si personalitet i kulturës, e kemi pasur përditë mes nesh, ja tani para pak kohe. Por ka lënë një trashëgimi të veçantë krijimtarie. Pa Gjokën sot nuk do të kishim këngë monumentale si ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, ‘Jam Kosova e shqiptarisë’, ‘Xhamadani i trimërisë’…
Shpesh mendoj se pa Gjokën nuk do të kishim folklorin e pastër dhe artin popullor që zotëron në Mirditë. Më duket se është i vetmi ‘oaz’ ku nuk ka zotërim tallavaja, një muzikë orientale, turke e arabe. Në artin e Mirditës zotëron burimi i shpirtit popullor; fatmirësisht.
Ky është kontribut i spikatur edhe i Gjok Becit, edhe pse nuk ndodhet mes mesh.
Sa për emrin se si shkruhet…, debati dëshmon boshllëk dhe kotësi. Kur ishte në jetë Gjok Beci, jo shumëkush ‘ia dinte’ emrin. Sepse në të gjallë njeriu edhe gabon, e kush e pranon njeriun me gabime!. E kam provuar vetë, madje me Gjokën, që e kisha pasur edhe mësues për pak kohë, në shkollë fillore. Ishte koha e diktaturës. Më thonë se kanë burgosur Gjok Becin. Kishte bërë një gabim politik me emrin e Stalinit. Për dy ditë e nxorën, por e dërguan me dënim punëtor në Ndërtim. Mbërrita në Rrëshen dhe u nisa për në Ndërtim, andej nga drejtimi i Lurës.
Pyeta të parin “A e dini ku punon Gjok Beci?!’.
Ai bëri me kokë ‘jo’, por sa kalova u kthye e më shikonte.
Pyeta të dytin e të tretin: ‘Gjok Becin kërkoj!’
Nuk folën, veçse u kthyen e shkuan.
E gjeta te betonierja, duart gjak nga lopata.
Debati shterpë mbi emrin e një personaliteti ka lidhje me paditurinë.
Gjok Becin e kanë njohur përtej Mirditës; më mirë e ka njohur Vaçe Zela, Çesk Zadeja, Lefter Çipa. Madje Lefteri më fliste rreth mikut të tij të ngushtë dhe emrin ia thoshte ‘Gjoku’. Në Kosovë e thërrasin ‘Gjoki’, njësoj si ‘Frroki’.
Po kjo ç’sens ka, vëlla!?
Në Mirditë ka më shumë sens. Rrësheni është i vetmi qytet në vendin tonë që nuk ka emra rrugësh. Të gjithë emrat e propozuar kanë ‘cene’, ose ‘gabime’. E hoqën edhe monumentin e mrekullueshëm të Katër Heroinave.
Dikush skanohet si partizan e dikush si ballist, dikush komunist e dikush fashist. Kështu është njeriu. Elon Musk nuk ka lindur as jetuar në Mirditë.
Atëherë i lënë rrugët bosh, pa emra dhe emrat pa monumente. Mbase do të propozohet të hiqet edhe tabela me emrin ‘Gjok Beci’, sepse ka një gabim.
Komente