Gjykata e Lartë është bërë me 10 anëtarë dhe kështu i hapet rrugë zgjedhjes 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga ky institucion. Me emërimin e sotëm nga Presidenti Ilir Met të gjyqtares Arbena Ahmeti, Gjykata e Lartë plotëson kështu kushtin ligjor për të pasur më shumë se gjysmën e anëtarëve të saj Tashmë Gjykata e Lartë mund të votojë për të zgjedhur anëtarët e Kushtetueses të cilët miratohen me tri të pestat e votave të pjesëmarrësve në votim, pra në rastin konkret duhet 6 vota pro.

“Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”, ka shkruar Meta në mesazhin pas dekretimit të znj. Ahmeti.

Arbena Ahmeti, gjyqtare e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, u miratua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ky vendim i KLGJ-së erdhi  dy javë pasi Gjykata e Lartë konstatoi pamundësinë e thirrjes së mbledhjes së posaçme për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm me 10 anëtarë.