Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë ka dënuar sot Partinë Demokratike për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Vendimi u mor sot paradite dhe sipas verdiktit të gjykatës, PD-ja i detyrohet t’i paguajë një dëmshpërblim moral prej 1 milion lekësh kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Veliaj kishte hedhur ne gjyq për shpifje këshilltarin bashkiak te PD, Akil Kraja.
Kryetari i PD, Basha, menjëherë pas këtij vendimi doli para medias dhe deklaroi se ‘Opozitës nuk mund t’ía mbyllni gojën”.
Pas lajmit për dënimin për shpifje të PD-së, burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se kryebashkiaku Veliaj ka vendosur që me dëmshpërblimin prej 1 milion lekësh të blejë dy kompjuterë, të cilët do t’ia dhurojë nxënësve të shkollës “Isa Boletini” në Kodër-Kamëz.
Ky është rasti i parë që një vendim gjykate për shpifje shkon direkt në “Fondin e Edukimit”, i cili është krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore, nga çdo vendim që gjykatat do të japin kundër shpifjeve publike.
Veritas.com.al/