Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Greqia kanë kërkuar hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në takimin e zhvilluar në hapje të sesionit të punimeve të Asamblesë së OKB-së, ministrat e Jashtëm të shteteve ballkanike thanë se mbështesin aspiratat e fqinjve të tyre.
Ne jemi të bindur se do të jemi më të sigurtë, më të zhvilluar dhe më të pasur nëse të gjithë fqinjët tanë bëhen anëtarë të BE-së. Bullgaria mbështet hapjen e negociatave me të dyja shtetet”, deklaroi Ekaterina Zaharieva, ministre e Jashtme te Bullgarisë.
Ndërsa ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias është shprehur: “Greqia po del nga një krizë 10 vjeçare dhe tani do të angazhohemi sërish për Ballkanin dhe çështjet evropiane. Ne mbështesim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në BE.”
Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Ramona Mănescu ka theksuar se do të jetë gabim i madh nëse Shqipëria do të ndahej në këtë proces nga Maqedonia e Veriut.
“Ne i mbështesim me të njejtën vendosmëri me të cilën Bullgaria drejtoi procesin gjatë presidencës së saj të BE. Ka ardhur koha për një sinjal pozitiv”, është shprehur ministrja Mănescu.
Gordan Grlić Radman, ministër i Jashtëm i Kroacisë, ka thënë: “Ne mbështesim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e tyre evropiane. Ne duam që të gjitha shtetet në rajon të jetojnë si fqinj të mirë”.
VERITAS.COM.AL/