Një ditë para nisjes së samitit 2-ditor të liderëve të BE-së, komisioneri Hahn u bëri thirrje edhe njëherë vendeve anëtare të hapin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në krah të Kryeministrit Zaev, i cili ka udhëtuar në Bruksel ashtu si Kryeministri Rama për të marrë pjesë në një takim të organizuar nga kryeministrat e qeverive socialiste të vendeve të Bashkimit Europian, komisioneri Hahn ripërsëriti qëndrimin se dy vendet i kanë plotësuar kërkesat e Brukselit dhe duhen shpërblyer për përpjekjet e tyre.

“Të dy vendet, ashtu siç vlerësuam edhe vitin e kaluar, përmbushën ato për të cilat ramë dakord me ta mbi bazën e një vendimi unanim të të gjithë vendeve anëtare. Ky ishte edhe këtë herë vlerësimi ynë dhe tani duhet të ndërmarrim hapin e radhës dhe t’u japim dritën jeshile. E kuptoj gjithashtu edhe zhgënjimin e popullsisë në dy vendet”.

Nga ana e tij, Kryeministri Zaev i kujtoi Brukeslit kushtin e vënë për ndryshimin e emrin si pengesa e fundit për të nisur negociatat e anëtarësimit.

“Ne bëmë të pamundurën për Marrëveshjen e Prespës, na besoni se nuk ishte e lehtë. Por ne e bëmë sepse ishte kushti kryesor për ne për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe ne ia arritëm, treguam se ne mundemi. Nëse nuk na i hapni negociatat do të ketë efekte shumë negative, jo vetëm në vend po edhe në rajon, por edhe Bashkimi Evropian do të humbasë besueshmërinë e tij, prandaj mos na pengoni, bëhuni heronjtë tanë, sepse Bashkimi Evropian për ne është e vetmja rrugë dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç kësaj”.

Me komisionerin Hahn, Kryeministri Rama do të takohet të enjten. Më herët gjatë rrugës drejt Brukselit, kreu i qeverisë shqiptare në një video mesazh tha se po bëhet maksimumi për të siguruar “PO-në” e merituar dhe se shpreson tek përpjekja e Kancelares Merkel për të bindur Presidentin francez.

“Me realizëm po gjykoj se po bëhet maksimumi për të marrë Po-në e merituar. Më e mbështetur se sot Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në këtë proces. Edhe Franca e njeh progresin e bërë, e cila kërkon sot shumë më tepër nga BE se sa nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.  Tani po nisem në Bruksel sëbashku me kryeministrin Zaev për të takuar kryeministrat e qeverive socialiste dhe progresiste të BE-së në një format të krijuar enkas nga Partisë Socialiste Europiane për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së pasnesërme”.

Të martën, Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim për hapjen e negociatave. Vendimmarrja tani u takon krerëve të vendeve të BE-së, që do të mblidhen më 17 dhe 18 Tetor në Bruksel. Franca është kundër zgjerimit, ndërsa Holanda thotë se Tirana dhe Shkupi kanë ende punë për të bërë.

Por 25 vende të tjera të Unionit janë të mendimit se dy vendet i kanë përmbushur kriteret e kërkuara, ndaj duhet që edhe Brukseli të përmbushë detyrimet e tij për t’i çelur negociatat. Komisioneri Hahn u shpreh i zhgënjyer nga mbledhja e kryediplomatëve dhe refuzimi i Francës dhe Holandës, teksa tha se ky nuk ishte një moment lavdie për Bashkimin Europian.

VERITAS.COM.AL/