Nga Martin Leka

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis dje ka pësuar një “shok” të vërtetë politik. Ka humbur jo pak, por dy emblemat e Greqisë politike: Athinën dhe Selanikun. Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidatët që mbështeste qeveria e Mitsotakis kanë humbur bashkitë kryesore të Greqisë, Athinën e Selanikun.

Kostas Bakojanis, që është edhe i afërm i kryeministrit grek, ka rezultuar humbës përballë Haris Doukas, kandidat i mbështetur nga PASOK. Në Selanik, qytetin e dytë më të madh pas Athinës, fitues është shpallur Stelios Angeloudis, që kandididoi si i pavarur por që u mbështet në këtë fitore gjithashtu nga PASOK, përballë Konstandinos Zervas, kandidatit të Demokracisë së Re të Mitsotakis.

Vetë kryeministri grek nuk e ka fshehur dot keqardhjen deri në zemërim për këtë humbje që edhe pse në përqindje në shkallë kombëtare  doli fitues, balotazhi tregoi shumë më tepër se sa përqindja.

Duke humbur Athinën e Selanikun, Mitsotakis ka humbur zemrën e Greqisë. Tashmë në mënyrë figurative, kryeministri grek do të duhet të mendojë mirë për të ardhmen e tij dhe të Demokracisë së re, pa “zemër”. Ka një ngjashmëri me zgjedhjet lokale te vitit 1992 në Shqipëri, ku ndërsa partia Demokratike fitoi pushtetin qendror në Mars, tre muaj më vonë, humbi zgjedhjet lokale në një rast të paprecedentë.

Pak a shumë, e tillë duket edhe situata në Greqi, ku pritet që gjithnjë e më shumë llogaritë elektorale të jenë në një tjetër barometër nga ai që tregonte motin politik para ditës së djeshme. Kjo duket edhe nga fjala e kryeministrit grek Mitsotakis, i cili edhe pse nuk e ka fshehur dot trishtimin e zhgënjimin e tij për humbjen e Athinës e Selanikut kur tha mbrëmë se “kjo nuk është një natë e mirë për Demokracinë e Re”, por nga ana tjetër, ka theksuar se “është detyrë e qeverisë të bashkëpunojë me ta”.