Gjykata e Posaçme ka caktuar 24 tetorin, ditën kur Sali Berisha duhet të paraqitet në gjyq për t’i marrë në pyetje lidhur me akuzën për korrupsion pasiv në rastin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në datën 24.10.2023, ditë e Martë, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të personit nën hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 të K.Pr.Penale”, thuhet në njoftim.

Në seancën e verifikimit të masës së sigurisë, personi në hetim, në rastin konkret Sali Berisha, do duhet të jetë në seancë. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ish-kryeministri do të paraqitet në gjyq apo do të vijojë që të mos e marrë për bazë këtë njoftim, me argumentin se masa e sigurisë e caktuar ndaj tij është anti-Kushtetuese.

Ndërkohë më herët, Oficerë të Krimit Ekonomik kanë shkuar në shtëpinë e Sali Berishës, në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë për t’i komunikuar masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, mirëpo as kësaj herë nuk kanë mundur që ta takojnë. Njëjtë, ndodhi edhe në selinë blu ditën e shtunë.

Aktualisht Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Ndërkohë, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta.