Dy ish-drejtues të Partisë Socialiste në Durrës janë takuar sot me kreun e PD, Lulzim Basha, pasi i janë bashkuar radhëve të forcës së tij politike. Sipas një njoftimi të PD, Basha ka pritur në zyrën e tij Serian Mazrekun dhe Ardit Kërtushën.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga PD, Mazreku, administrator i njësisë administrative Kënetë, u ka bërë thirrje të gjithë të afërmve të tij të mbështesin PD-në dhe të mos pranojnë lëmosha, duke nënkuptuar shitjen e votës, ndërkohë që ish-kryetari i FRESSH për qytetin e Durrësit është shprehur se qyteti është peng i interesave të Dakos.
Nga ana e tij Basha, u shpreh se ai dëshironte të shihte një garë idesh dhe programesh ndërmjet partive, gjë që nuk po ndodh sepse pushteti nuk ka paraqitur alternativë.
Basha u tregua entuziast për faktin që ka socialistë që duan ndryshim dhe e gjejnë ndryshimin tek Partia Demokratike. Basha mirëpriti kontributin e socialistëve durrsakë dhe u bëri ftesë të gjithë socialistëve që e duan vendin dhe duan të bëjnë ndryshim për hir të të ardhmes së fëmijëve të tyre.
Basha tha se më 25 prill nuk çlirohet vetëm Shqipëria, por edhe Partia Socialiste. Sipas tij, me ndryshimin e pritur të 25 prillit, fiton Shqipëria, fitojnë edhe socialistët e zakonshëm.
VERITAS.COM.AL