Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së Briken Sanajt, i cili nga informacionet paraprake të siguruara nga A2 CNN dyshohet se ndodhet në Belgjikë. Vrasja e Sanajt ndodhi mbrëmjen e 30-tetorit të këtij viti pranë banesës së tij te “Kodra e Diellit” në Tiranë.
Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për hakmarrje, për një ngjarje të ndodhur në vitin 2012. Në atë kohë, vëllai i viktimës, Antonio Sanaj, plagosi një person për motive banale.
Sanaj kishte më shumë se një vit që ishte rezident te “Kodra e Diellit”, ndërkohë që prej shumë njerëzish në zonë njihej me emrin Anton Gjini. Sipas të dhënave, viktima ka qenë duke mbyllur derën e garazhit dhe ka takuar më pas 2-3 shokë kur është qëlluar nga një distancë e afërt me automatik kallashnikov. Makina me të cilën udhëtonin autorët është gjetur më pas nga policia duke u djegur në zonën e Qafës së Kasharit, pranë një biznesi pllakash.