Nga: Laert Skiro/
Edhe pse kishin qenë në armiqësi të ‘keqe’ me njëri tjetrin, sot erdhi rasti ‘më i keq’ që u bashkuan. Ilir Meta, gjatë kohës kur ishte kryetar i Kuvendit, e kishte quajtur Bashën ‘një gënjeshtar’. Madje ai kishte thënë se ‘Bashës nuk i besohet për asgjë’… Gjatë ngjizjes së ‘mjaltit’ mes Ramës dhe Bashës, duke nisur që nga marrëveshja mes tyre, Basha iu bashkua Ramës dhe sulmoi Metën. Madje shkoi deri aty sa bëri thirrje publike kundër LSI, që siç tha është një biznes me ‘një dorë në bakllava e një dorë në revani. Por do t’ia presim duart’.
Në kohë të këqija, njeriu e fut kokën në çdo strehë.
Kjo është një kohë e keqe ku Ilir Meta ka gjetur strehë të Lulzim Basha dhe Lulzim Basha te Ilir Meta. Lulzim Basha i PD nuk ka asnjë mundësi që të bëjë opozitë ndaj qeverisë, prandaj kërkon ndihmën e Ilir Metës së LSI. Njëkohësisht LSI e Ilir Metës kërkon mbështetje kudo ku mundet ‘në një rast të tillë stuhie”.
Cili është rasti?
Ka dy ditë që në media dhe në politikë po qarkullon një raport i shërbimeve sekrete italiane mbi implikimin e ish- ministrit të Brendshëm Tahiri në banda të trafikimit të drogës dhe njerëzve në Itali. Përdorimin e këtij raporti e ka marrë në dorë opozita, PD. Ajo ka kërkuar burgosjen e Saimir Tahirit, por nuk ka shkuar deri në aksion politik siç është dorëheqja e qeverisë. Marrëveshja Basha- Rama, e kryer edhe në dëm të LSI (siç edhe vetë LSI ka deklaruar më parë), është strumbullari edhe i ngjarjeve dhe hapave që do të ndërmerren në kuadër të ndodhisë së fundit. LSI ka deklaruar përmes kryetares së caktuar, Kryemadhi, se ‘do të bëjë atë që thotë Basha, LSI e PD do të veprojnë së bashku”. Por ajo çfarë ve në lëvizje gjithçka është frika se mos vallë çështja ‘Tahiri’ shpërthen në gjithë kupolën e shtetit.
Pse dorëzohet LSI e Ilir Metës te Basha i PD?
Kjo është çështja.
Ose Ilir Meta ka kuptuar se përmes portës së Bashës mund të hyjë në ‘strehën’ e Edi Ramës, përsëri pas prishjes së koalicionit; dhe aty të ndjehet i sigurt nga çfarëdo ‘ditë e keqe’, qoftë edhe Vetting.
Ose presidenti i Republikës, Meta, nuk ndjehet aspak i garantuar nga siguria që i jep LSI dhe tani kërkon të zgjerojë bazën e garancive të tij, duke hyrë në ‘strehën’ e PD të Lulzim Bashës.
Por ajo çfarë ka ndodhur është kjo: Ilir Meta, i plotfuqishmi i LSI, përmes zonjës Kryemadhi i ka kërkuar garanci Lulzim Bashës që ndodhet në një marrëveshje me Edi Ramën.
Veritas.com.al/