Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka zbuluar prapaskenat se çfarë ndodhi një vit më parë me rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. I ftuar në emisionin “Debati në Channel One”, Ilir Meta tregoi se Kryeministri Rama kishte për qëllim të kapte drejtësinë dhe manipuloi ndërkombëtarët me draftin për reformën.

Sipas kryeparlamentarit, Kryeministri synonte që të zhdukte Partinë Demokratike, dhe këtë e tregoi edhe gjatë krizës së para 3 muajve, duke këmbëgulur se do të hynte në zgjedhje pa opozitën.

Por Meta thekson se votimi i reformës në drejtësi pa konsensusin e opozitës një vitë më parë, do të bënte që vendi të hynte në një krizë të thellë. Kryeparlamentari u shpreh gjithashtu se nuk lejoi që kjo reformë të votohej pa opozitën, duke bërë çdo gjë që të arrihej konsensusi sikurse ndodhi në momentet e fundit.

Pyetje: Zoti Meta, në këto momente marrëdhëniet e LSI-së, në radhë të parë me PS-në, por edhe tuajat personale me z. Rama, publikisht nuk duken mirë, a mund të na thoni ju ç’ka ndodhur mes jush dhe z. Rama? Sepse nga momenti që ju jeni zgjedhur President i Republikës ose ka ironi në deklarata, ose ka kundërdeklarata, ose ka akuza, kundërakuza e kritika?

Ilir Meta:

Unë nuk mendoj se ka ndodhur diçka në raportin tim me z. Rama, por problemi i z. Rama është se nuk e di se çfarë kërkon dhe se çfarë do të bëjë në këtë vend dhe nuk e kupton që të jesh Kryeministër apo të kesh një pozicion të caktuar, nuk do të thotë të sillesh si pronar i vendit dhe të bësh çfarë të duash me institucionet, me demokracinë, me votën e qytetarëve.

Të kesh në mendje vetëm një reformë për të përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, është një marrëzi, nuk është një projekt, nuk është një vizion. Në këtë drejtim, mendoj se shqetësimi i tij ka qenë vetëm qëndrimi im parimor dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim në dy momente kyçe, por ka edhe çështje të tjera, mendoj unë: një është te reforma në drejtësi, ku ai donte të bënte një reformë në drejtësi pa opozitën, me qëllim kapjen e plotë të sistemit të drejtësisë, në kundërshtim edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe arriti të manipulonte edhe shumë ndërkombëtarë, por padyshim që dështoi për arsye se…

Pyetje: I manipuloi ndërkombëtarët?

Arriti të manipulonte shumë për shkak të paaftësisë të opozitës, e cila nuk ishte shumë koherente, e para.

E dyta, edhe kur kishte të drejtë, për shkak të shumë gabimeve në menaxhimin edhe të inkoherencës së saj nuk arriti dot të mbronte drejtësinë e pozicionit të saj. Natyrisht, të gjithë e dinë shumë mirë që pengesa për të miratuar një reformë të tillë, e cila nuk synonte vetëm kapjen e reformës së drejtësisë, por synonte edhe shpërbërjen e opozitës në Parlament, pasi dihet që shumë deputetë ishin nxitur, ishin përpunuar për të votuar këtë reformë, sepse këta donin drejtësi, këta të tjerët nuk donin drejtësi, për ta nxjerrë opozitën nga institucionet dhe për ta shpërbërë Partinë Demokratike.

Unë, natyrisht, këtë nuk e bëra për hir të Partisë Demokratike, sepse nuk është se kam ndonjë detyrim të veçantë, por për hir të demokracisë në vend dhe për pasojat që do të sillte kjo gjë. Në rast se do të kishte ndodhur ajo që donte zoti Rama dhe ajo që ai kishte në mendje, pa dyshim që Shqipëria do të kishte hyrë në një krizë të thellë që në atë moment, së pari.

Së dyti, pa dyshim që do të kishim pasur probleme të jashtëzakonshme me procesin e integrimit europian. Nuk mund të kishte kurrë Shqipëria një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave në rast se reforma nuk do të kishte kaluar me konsensus. Kjo është një çështje e mbyllur dhe nuk e dimë më se çfarë do të kishte ndodhur tjetër.

Rasti i dytë problematik, ose shqetësimi i tij i dytë, natyrisht ka të bëjë me çështjen aktuale të zgjedhjeve, ku është e qartë se edhe ai vetë donte të zgjidhej pa opozitën. Këmbëngulja e tij ka qenë madhe dhe e fortë. Pavarësisht se opozita kishte teprime e saj në qëndrim, në pozicione deri edhe ekstreme, padyshim që ai e provokonte në mënyrë të vazhdueshme opozitën, sepse ai nuk donte që opozita, praktikisht, të përfshihej në zgjedhje.

Veritas.com.al/