Gazeta ‘Koha Jonë’, tradicionale e pavarur, jep sot një lajm të mirë. Ajo shkruan se ‘është prishur pazari Rama- Basha, i ngritur më 18 maj, që solli një pasiguri në votime dhe një kaos në PD.

Gazeta shkruan:

Lulzim Basha më në fund ka vendosur të flas hapur për marrëveshjen me Edi Ramën më 18 maj. Pas humbjes katastrofike të opozitës, Basha ka reflektuar për pasojat që i shkaktoi pakti i cilësuar si pazar mes tij dhe Ramës.

Basha ka deklaruar se pakti me Ramën është bërë nën presionin e fortë të ndërkombëtarëve. Sipas tij, PD-ja u detyra të hynte në një marrëveshje politike, pasi në të kundërt zgjedhjet do të njiheshin edhe nëse bojkotoheshin nga opozita zyrtare.

Nga Tropoja, Basha ka hedhur poshtë çdo mundësi bashkëpunimi politik mes tij edhe Edi Ramës në të ardhmen. Sipas tij, Edi Rama ishte i pari që e shkeli marrëveshjen duke blerë votat. Basha tha se një PD-ja nuk mund të bashkëpunojë me një subjekt politik që ka blerë fitoren.

“Marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”, deklaroi Lulzim Basha.

Kjo është deklarata e parë e Lulzim Bashës lidhur me të ardhmen e paktit Rama-Basha. Edhe pse qëndrimi i Bashës është vlerësuar nga demokratët, ende ka pikëpyetje lidhur me këtë marrëveshje politike. Ky qëndrim i kreut të PD është vetëm një pjesë e të vërtetës së paktit mes dy kryetarëve. Detajet e këtij pazari nuk janë bërë publike edhe sot.

Basha tani po justifikohet se u detyrua të bëj marrëveshje  me Ramën, pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Por nëse është kështu, përse duhet që PD-ja të merrte formalisht gjithë ato ministri? Mjaftonte vetëm marrëveshja politike për hyrjen në zgjedhje dhe strukturuat e PD nuk merrnin asnjë kosto për procesin e zgjedhjeve. Sepse sot PD është në situatë që ka humbur zgjedhjet, por as nuk ankohet dot për manipulime, pasi ministritë e rëndësishme kanë qenë në drejtimin e PD.

Futja e ndërkombëtarëve në lojë është paksa e pabesueshme edhe për një arsye tjetër. Ndërkombëtarët kanë kërkuar marrëveshje politike, siç kërkuan edhe partitë e tjera në vend. Por ndërkombëtarët nuk mund të kenë kërkuar eliminimin e koalicioneve politike. Nuk ka logjikë politike që ndërkombëtarët kanë kërkuar nga PS dhe PD shmangien e koalicioneve dhe vjedhjen e votave në tavolinë, siç doli nga rinumërimi i djeshëm në KQZ.

Gjithashtu, nuk mund të kenë qenë ndërkombëtarët ata që i kanë kërkuar Bashës dhe PD që të marrin drejtorinë e OSHEE, Legalizimet etj. Selitë diplomatike kanë kërkuar marrëveshje dhe kompromis politik. Por në vend të kësaj, Rama dhe Basha e kthyen konsensusin në pazar dhe në shkëmbime institucionesh.

Ndaj sërish justifikimi i Bashës nuk bind. Ashtu siç nuk bind dhe deklarata e tij se nuk do të bashkëpunoj më me Edi Ramën. Ka një provë të fortë që e konfirmon këtë. Basha ka nisur sërish të përdor gjuhën e ashpër kundër Ramës për drogën, trafiqet e tij. Ndërkohë ka ende në qeverinë e Ramës ministrat teknikë të PD.