Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Inva Mula ka risjell pas 45 vitesh operetën “Karnavalet e Korçës” në nder të ditëlindjes së babait të saj të ndjerë Avni Mula.

Krahas interpretuesve të shumtë, ajo ka zgjedhur që në skenë të jetë edhe e bija, Nina. Mirëpo, duket se ftesa ka ardhur nga vetë vogëlushja, e cila i ka kërkuar vetë Invës që të ketë një rol.

Këtë e zbuloi sopranoja gjatë intervistës në “Pas Mesnate” në ABC News, duke theksuar se Ninën e thirri gjaku i gjyshit dhe nuk mund të mungonte në këtë event të veçantë.

Në fakt as nuk e mendova më herët. Por në një moment të caktuar më thotë drejtori i korit: ‘Po fëmijë fusësh?’. Fëmijët nuk kanë part për të kënduar, po sigurisht se nuk ka shesh karnavallesh pa fëmijë. Nuk do të kishte kuptim, pavarësisht se në part nuk është e shkruar. I thash, patjetër që do t’i zgjedhim dhe i kërkova disa fëmijë. Edhe i them vajzës që ke dëshirë të vish.

‘Kam dëshirë, po po të më japësh një rol’. Ajo erdhi me pretendim, kur më tha që do më japësh një rol, atëherë improvizova atë kërcimin e vogël që ajo bëri me shumë pasion, e veshur si një vajzë e vogël dardhare. Edhe pasi e pash vajzën në skenë, thash si nuk e mendova pse erdhi kërkesa nga ajo. Sigurisht, që erdhi nga ajo se s’mund të mungonte në ADN e saj kërkesa e gjyshit të saj për ta prezantuar mbas 45 vjetësh mbesën e vetë”, tregoi Mula./abcnews.al