Dhjetëra raketa lëshoi ushtria iraniane duke goditur dy baza ajrore amerikane në Irak, si hakmarrje e Iranit pas vrasjes së komandantit të Gardës Revolucionare Qasem Soleimani nga ushtria amerikane të premten e 3 Janarit në Bagdad.
Sulmi ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure, sipas orës lokale. Në shënjestër ishin bazat ajrore amerikane të Al Asadit në perëndim të Bagdadit dhe ajo e Irbilit në veri të Irakut. Është ende e pakonfirmuar nëse ka apo jo viktima nga ky sulm. Mediat irakiane flasin për 80 të vrarë, të gjithë irakianë, ndërsa mediat perëndimore thonë se raketat shkatërruan ndërtesat e bazave, pa shkaktuar të vrarë.
Ndër të parët që reagoi ishte Presidenti amerikan Donald Trump, i cili përmes Twitterit tha se gjithçka ishte në rregull dhe se po bëhej përllogaritja e dëmeve në baza. Ai ka njoftuar edhe një konferencë për shtyp, në të cilën pritet të flasë edhe për kundërpërgjigjen e mundshme ndaj Iranit.
Ayatollah Ali Khamenei e quajti një shuplakë në fytyrë sulmin ndaj bazave amerikane. Ndërsa ministri i Jashtëm tha se kundërpërgjigjia ishte në përputhje me konventat ndërkombëtare, duke nënkuptuar se Irani nuk kërkonte luftë. Por ai bëri një paralajmërim për Uashingtonin.
“Nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime të tjera, Irani do të përgjigjet në një mënyrë tepër të ashpër, por proporcionale”.
Agjencia iraniane e lajmeve FARS kërcënoi Presidentin amerikan Donald Trump përmes një videomontazhi ku inskenohet vrasja e tij.
Veritas.com.al/