Irani ka ekzekutuar dënimin me vdekje duke varur ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes me shtetësi të dyfishtë irano-britanike Alireza Akbari. Ai ishte arrestuar në vitin 2019 dhe u dënua për spiunazh për Britaninë e Madhe, akuzë të të cilën ai e mohoi.

Gazeta zyrtare e lajmeve e gjyqësorit iranian Mizan Online raportoi se Alireza Akbari ishte varur, pa specifikuar datën kur ndodhi ekzekutimi.

 Alireza Akbari  shërbeu si zëvendësministër i mbrojtjes nën presidencën e Mohammad Khatami në vitet 1997-2005, dhe u dënua me vdekje pasi u shpall fajtor për “korrupsion në tokë dhe për dëmtim të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të vendit nëpërmjet transmetimit të informacionit”.

Ditët e fundit, Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, i kishte kërkuar qeverisë iraniane të mos vazhdonte me planet e saj për të ekzekutuar Akbarin. “Irani duhet të ndalojë ekzekutimin dhe ta lirojë menjëherë”, tha Cleverly.

 Shtetet e Bashkuara iu bashkuan thirrjeve që Irani të mos ekzekutonte zotin Akbari. Diplomati amerikan Vedant Patel tha se “ekzekutimi i tij do të ishte i pandërgjegjshëm”. Patel tha se “akuzat kundër Alireza Akbarit dhe dënimi i tij ishin të motivuara politikisht”.