Sot është 9 Maji dhe të gjithë aspirantët e satelitët e BE, siç është edhe Kosova, bëjnë sikur festojnë Ditën e Europës.

Por sot, në ditën kur Kosova po feston Ditën e Evropës, në veri të Mitrovicës janë vendosur gjithandej fotografi të presidentit rus, Vladimir Putin, si dhe flamuj të Rusisë, njofton KosovaPress.

Burime të medias bëjnë të ditur se fotografitë dhe famujt janë vendosur nga njerëzit e Millan Radojiçiq, emri i të cilit është i lidhur me shumë ngjarje në veri, duke përfshirë edhe vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Po thuhet se përmes këtyre fotografive dhe flamujve rusë , pikërisht në Ditën e Evropës, qytetarët serbë të veriut dërgojnë mesazh për raporte vëllazërore me Rusinë.

Disa qytetarë serbë të veriut, të cilët kanë preferuar të mbeten anonimë, kanë thënë për mediat se veç tjerash, vendosja e fotografive të presidentit rus dhe flamujve të Rusisë, ndërlidhet me vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ndodhet aktualisht për vizitë në Rusi.

Veritas.com.al/