(FOTO: Matteo Renzi sot duke hyrë nè sallën e Parlamentit)
Kreu i qeverisë italiane, Matteo Renzi, pas dështimit të referendumit të së dielës, konfirmoi të mërkurën dorëheqjen e tij, që do të bëhet zyrtarisht në orën 19:00.
“Buxheti u miratua, në 19:00 dorëheqja formale. Faleminderit të gjithëve dhe rroftë Italia”, ka njoftuar Renzi në Twitter.
Presidenti italian Sergio Mattarella e refuzoi dorëheqjen e tij të hënën, dhe i kërkoi ta shtynte pas miratimit përfundimtar të buxhetit të 2017 në Parlament. Çka u krye, pas votimit edhe në Senat gjatë paradites së sotme dhe Matteo Renzi konfirmoi vendimin e tij të pakthyeshëm.
Ai është viktima e dytë e një referendum popullor në Evropë pas dorëheqjes këtë verë të David Cameron-it, ish kryeministrit britanik që ra pas JO-së së britanikëve për qëndrimin e vendit të tyre në BE.
Kreu i shtetit italian do të konsultohet me forcat politike të vendit për të përcaktuar hapat e mëtejshme, zgjedhjet e parakohshme ose qeveri teknike dhe reformë zgjedhore. Konsultimet mund të nisin që nesër, të enjten 8 dhjetor, ndonëse është ditë feste në Itali.
Udhëheqësia e Partisë Demokrate (PD), sekretar i përgjithshëm i të cilës është M. Renzi do të mblidhet sot në darkë në përpjekje për të mjekuar plagët dhe përcaktuar një strategji pas fushatës referendare dhe dështimit që e ka përçarë keqazi partinë.
Përballë këtij dështimi e tërë klasa politike italiane është pro zgjedhjeve të parakohshme, legjislatura aktuale përfundon në shkurt 2018.
/Veritas.com.al/