Italia po përgatit një projekt për krijimin e shtetit të Palestinës, i cili do të prezantohet në Neë York në shtator në margjinat e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Në një intervistë për La Stampa, ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri Antonio Tajani ka dhënë më shumë detaje.
“Unë do të propozoj në nivelin e G7 një projekt për rindërtimin jo vetëm humanitar, por politik dhe ekonomik të Gazës. Italia është e gatshme të dërgojë një kontingjent në punë, për periudhën e tranzicionit, i cili do të duhet të menaxhohet nga OKB dhe të drejtohet nga vendet arabe – drejt lindjes së një shteti palestinez, duke bashkuar Rripin dhe Bregun Perëndimor”, tha Tajani.
Ministri italian tha se në negociata për këtë plan do të jetë Autoritetit Kombëtar Palestinez (PNA) dhe jo Hamasi.
“Italia është gati të dërgojë një kontigjent për të punuar në krijimin e një shteti palestinez, duke bashkuar Rripin dhe Bregun Perëndimor. Por bashkëbiseduesi ynë mund të jetë vetëm PNA, jo Hamasi. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara na kanë kërkuar që të përdorim karabinierët për të trajnuar një forcë adekuate të sigurisë palestineze”, shtoi shefi i diplomacisë italiane.
I pyetur se pse Italia nuk e njeh shtetin e Palestinës, siç kanë bërë vende të tjera si Spanja, Tajani tha:
“Ne jemi në favor të shtetit të Palestinës. Por ne duhet t’i ofrojmë një perspektivë konkrete popullit palestinez. Si mund të njohim një shtet ndërkohë që ekziston Hamasi që kontrollon një pjesë të madhe të Palestinës dhe pretendon se dëshiron të shkatërrojë Izraelin? Ne nuk duam t’i japim një shuplakë morale Izraelit tani, por duam t’i çojmë ata në një negociatë për të konkretizuar formulën “dy popuj, dy shtete“, shtoi Tajani.