Artan Hajrizi, pasaporta e së cilit u gjet në vendin ku u vra polici serb Nikolla Krsmanoviç dhe u plagos efektivit tjetër Vjekoslav Iliç, ka deklaruar se nuk është i përfshirë në ngjarje.
33-vjeçari është shprehur se ndodhet në Gjermani dhe se dokumentet ia ka vjedhur i vëllai, Faton Hajrizi, i cili është arratisur 10 ditë më parë nga burgu i Smrekovicës ku vuante dënimin për vrasjen e një ushtari rus në Kosovë.
Artan Hajrizi akuzohet nga autoritetet serbe si autor i ngjarjes, por theksoi se nuk është fajtor dhe se i vëllai i mori dokumentet teksa shkoi për të qëndruar rreth 2 orë tek banesa e tij.
“Dokumentet mi ka vjedh. Ka ardhur te unë që të qëndronte me disa shokë. Ka qëndruar tek unë 2 orë. Kjo ka ndodh para dy ditësh. Unë nuk jam fajtor për këtë punë. Nuk kam qenë në dijeni që mi ka marrë dokumentet. Se dokumentet e Gjermanisë nuk ia jap askujt. Më janë dashur 15 vite që t’i bëja dhe t’i prishja për një ditë se bëj”, ka deklaruar ai.
Në një intervistë për Insajderi, Artan Hajrizi distancohet nga vëllai i tij, Fatoni duke u shprehur se ai nuk pyet për askënd.
“Çfarë ka bërë ai nuk është mirë, nuk bëhen ato gjëra. Ne si familje i kemi thënë dorëzohu, jo thoshte në Evropë kam dalë. Gjëra që ka bërë nuk janë të mira. Prej kur kam ardhur në Gjermani nuk jam marrë me gjëra të këqia, as në Kosovë nuk kam probleme. Nuk ekziston emri im për asnjë vërejtje.
Fatonit çfarë ti them. Një fjalë e ka thënë, nuk e di a e kuptoni, ‘veç lule me më qit, se për t’u dorëzu nuk dorëzohem. Veç të vrarë munden që të më kapin, të gjallë jo. Unë nuk kam çfarë të them, nuk më dëgjon as mua, as mamanë dhe as babain, askënd. Të gjithë jemi me shkollë, njëri doli haram. Nuk jemi ne të këtyre gjërave”, tha Artan Hajrizi.