Edi Rama bëri me dije se nga java e ardhshme do të fillojnë disa lëshime me pikatore për lëvizjet, nëse, siç tha ai, shifrat e të prekurve nga koronavirusi do fillojnë të bien.

“Masat shtrënguese na kanë ndihmuar jashtëzakonsisht në uljen e agresivitetit të armikut që na ka dëmtuar më pak se sa parashikimet tona.

Krahasojeni me katastrofën që mund të gjendeshim nëse s’do kishim marrë masat, jo vetëm do ishim duke numëruar mbi 100 të vdekur tani që flasim por do përjetonim tmerrin e mijëra të vdekurve deri në fund të luftës.

Kjo nuk do të thotë që katastrofa është shmangur përfundimisht e mos o zot të lëshoni veten tani kur lufta nuk ka shkuar ende në gjysmë, e di që s’është e lehtë të vazhdojmë kështu por nuk kemi asnjë rrugë tjetër.

S’dua të entuziasmoj askënd para kohe por dua t’ju informoj se po detajojmë për lehtësim gradual të masave që do hyjnë në zbatim menjëherë sapo të shohim fillimin e rënies së kurbës.

Nuk e dimë se kur, por dimë që deri në mes të prillit do mësojmë shumë mbi sa thellë është shtrirë ky armik i padukshëm mes nesh.

Po studiojmë disa lehtësime të lëvizjes që i kemi gati me ndihmën e zotit duke filluar me pikatore nga java e ardhshme, po qe se, numrat deri të dielën, do na lejojnë ta marrim në konsideratë pikatoren”, tha Rama. /e.s/