“Pse evropianët edhe amerikanët e mbështesin kaq shumë kryeministrin Rama?” Një pyetje retorike, që mediat greke ja kanë drejtuar qytetarëve në një artikull me fokus kryesor: mbajtja në burg e Fredi Belerit.
Në një analizë të gjatë “KATHIMERINI” ka renditur disa nga vetitë kryesore të Ramës që kanë fituar besimin e fuqive perëndimore.
Çështja Beleri pa dyshim ka qenë në vëmendje të mediave helene, por edhe të zyrtarëve të lartë. Athina zyrtare madje ka “kërcënuar” Tiranën që do të bllokojë hapjen e kapitujve per integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mirëpo përgjigjja e Ramës ka qenë e qartë: Arrestimi i Belerit i takon institucionit të drejtësisë.
“Edhe nëse Këshilli Europian kthehet përmbys, ne nuk jemi të hapur për asnjë negociatë që bie ndesh me interesin strategjik të Shqipërisë, që është zbatimi i reformës në drejtësi dhe ruajtja e pavarësisë së institucioneve të saj të drejtësisë.” u shpreh Rama. Deklaratë kjo që tërhoqi vëmendjen edhe të mediave helene.
Sipas KATHIMERINI, “kokëfortësia” e tij është forcuar më tej nga deklarata e kancelarit gjerman Olaf Scholz i cili jo pak herë ka deklaruar se kjo është një “mosmarrëveshje dypalëshe” dhe që nuk lidhet me kërkesat e BE-së në lidhje me sundimin e ligjit në procesin e anëtarësimit.
Përtej çështjes Beleri, mbështetja e ndërkombëtarëve ndaj Rames është më e gjerë. Kryeministri shqiptar shihet si i favorizuari i BE-së dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
“Kryeministri dinak” siç e citon media greke, vazhdon ta projektojë veten si lideri që mund të garantojë stabilitetin e brendshëm politik dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.
Ai e cilëson veten si një politikan me ndikim me cilësitë drejtuese të nevojshme për të kontrolluar zhvillimet e rrezikshme në Kosovën. Të gjithë e kuptojnë se pa Tiranën dhe Beogradin, pra pa Ramën dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ka pak shpresa për përmirësim të situatës në Kosovë.
Mund të mos e thotë me zë të lartë, por Perëndimi sheh te Rama një kryeministër pro-europian, i cili pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, po e mbron Shqipërinë nga islamizmi dhe nga shndërrimi i saj në urën e Turqisë për në detin Adriatik.
Edi Rama po ashtu ka treguar gatishmëri edhe për të zgjidhur cështjen e emigracionit. Në artikull përmendet pranimi i marrëveshjes së kryeministres italiane Giorgia Meloni që Shqipëria të presë mijëra emigrantë dhe refugjatë që përpiqen të kalojnë në Europë nga Afrika.