Komisioni Evropian rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn teksa prezanton progres-raportin, deklaroi se të dyja vendet përmbushin kriteret dhe i rekomadojnë Këshillit të Evropës të çelë negociatat.

“Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat tani me të dy vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duhet të përmbahemi angazhimeve, por vendet përmbushin kriteret. Serbia dhe Mali i Zi duhet të punojnë në shumë dhe të rrisin përpjekjet. Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të dy vendet duhet të kontribuojnë”, tha Hahn.

Mes të tjerash komisioneri deklaroi se Shqipëria ka bërë progres me reformën në drejtësi, ndërsa Maqedonia e Veriut sipas tij është një vend shembull për arritjen e marrëveshjes historike me Greqinë.

“Sfida tjetër për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të marrin reforma dhe ti zbatojnë ato në funksion të rritjes së ekonomisë. Është me rëndësi që të rrisin dhe të sigurojnë se çdo aktivitet i huaj në rajon të përmbushë vlerat e BE. Sa i përket vendeve të caktuara janë përgjigjur strategjisë. Jam i kënaqur se si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndjekur reformat. Shqipëria ka ndjekur reforma në drejtësi, Maqedonia gjithashtu ka vazhduar me reformat dhe ka arritur një marrëveshje historike me Greqinë. Është një shembull shkëlqyes për vendet e tjera”, tha komisioneri.

Veritas.com.al/