Nga Frrok Çupi
Kur thuhet fjala “bluar” për kohën, thuhet me dy ngarkesa. E para kur e harxhon kot; dhe e dyta kur koha është kapërcyer dhe nuk kthehet më. Ka një letërsi të tërë e të famshme botërore se si njerëz të fuqishëm janë munduar të kthejnë kohën, por kurrë nuk është arritur. Këta këtu, natyrisht, nuk e kanë kulturën e të studiuarit dhe nuk kanë si ta dinë se çfarë ka ndodhur me kthimin e kohës.

Por koha iu ka ikur. Po të mos iu kishte ikur koha, atëherë blogjet dhe mediat do të ishin të mbushur plot me lavdërime dhe me nota mëshiruese si në fillim kur erdhën në pushtet në verën e vitit 2013.

Mirëpo iu ka ikur koha. Prandaj mediat sociale dhe blogjet tashmë po pëlcasin nga mospranimi ndaj tyre. i prozvalin, i telendisin, i shajnë dhe iu kërkojnë të mos duken më. Deri në neveri

Nuk i shikoni se nuk mund të kapin kohën tjetër. Dje dhe pardje mediat po publikojnë teatrin fotografik të kryetarit të Bashkisë duke kopjuar presdientin e Shteteve të Bashkuara. Të gjithë qeshin. Ky kërkon kohën e tjetrit. Këta mendojnë se është koha e izolimit kur njeriu i varfër mrekullohej për një kopje nga amerika a për një foto nga perëndimi. Ja, e shikoni. Këta janë jashtë kohe.

Koha për këta ka ikur.

Këta luajnë me teatrin dhe me skenat. Ndërsa jeta nuk është një skenë. Këta luajnë me ngjyrat dhe me agresionin. Por jeta nuk është as ylber dhe as kërcënim. Këtu njerëzit, pak nga pak, kanë mësuar shumë. Edhe ata që nuk kanë mësuar asgjë, e dinë se teatri nuk jep bukë, nuk jep shtëpi, as siguri e as qetësi. Këta qeverisës që nuk japin këto gjëra për njeriun, këta nuk kanë pse mendojnë se janë në kohë.

Ka ikur koha, nuk arrihet.

Këta hapin burgje dhe prishin shtëpitë e dikujt për të gëzuar disa të tjerë. Këta ecin me përrallën e vjetër se “prishi shtëpinë tjetrit që të gëzohem unë”. Edhe kjo kohë ka kaluar, jo se njeriu është kthyer në Mesi, por sepse njeriu shikon më afër vetes. Ka mundësi që njeriu të jetë duke menduar të kundërtën e asa që mendojnë këta. Njerëzit janë në kohëne tyre, duke menduar se “pas atij tjetrit, radha i vjen shtëpisë sime”. Po sikur, vërtet të jenë duke menduar kështu, vallë ku do të fshihen qeverisësit nesër? Në kohën e kapërcyer nuk kanë ku futen më.
Sa herë kam dëgjuar njerëz tek thonë se sikur këta “po të ishin në kohën e të mallkuarve, kushedi ç’tmerre do të bënin!”. Se diktatorët injorantë ishin në kohën e tyre dhe i lanë disa frymë gjallë. Sikur këta të ishin në atë kohë, as këta që janë nuk do të këtë hije që bëjnë. Mirëpo ajo kohë ka kaluar, këta nuk e dinë dhe i turren për ta kapur.

E pamundur.

Madje këta po mendojnë se do të jenë o të përhetshëm, o afatgjatë në pushtet. Ç’ëndërr e keqe! Megjithatë ëndërr, pasi koha është bluar. E di pse nuk mund të ndodhë më? Sepse nuk është ajo kohë; kaloi. E para, kjo. E dyta, sepse këta kopjojnë ata që e kanë bluar kohën e tyre. A mund të kopjohet Obama nga një djalë fiqsh në Tiranë? Shikoni sa larg kohës. E treta, se presidenti i ardshëm i Amerikës po deklaronet kundër Obamës së sapo kopjuar. Vetë kandidati Trump po dëshmohet se është kopje e një tjetri në një shtet tjetër. Këta do të bëjnë përsëri “maskën” si Trump? A do të mund të përsërisin krizat e njohura?

A mos vallë është koha që të thonë se kush ka bërë pasuri “mund të më bëjë edhe mua të pasur”? Këta vetë duket se e besojnë. Por kaloi ajo kohë, është bluar. Këta vetë e bluan. Edhe lypsarët e rrugës nuk e besojnë më. Edhe ata e dinë se qeveria ua merr paratë dhe i varfëron, por jo se qeveria mbledh para dhe ia jep pupullit. Përralla ka mbaruar me Robin Hud. Këta nuk janë në kohë, as në kohën e Sudes në Tiranë.

Paratë e këtyre po i kthejnë njerëzit në skllevër. Nesër mund tu blejnë votat. Por a do të jetë në kohë edhe ky akt kriminal?

Këta nuk po lënë rast pa treguar duart. Ja duart! Askush nuk i ka të pista. Po kthejnë kohën e parullave të “mano pulite”. Vetë parulla ka vdekur edhe atje ku kishte lindur. Ndërsa këtu njeëzit ua kanë parë duart herë me 200 milionë euro, herë me nënën pensioniste dhe miliardere, herë me vila, herë me pasuri pa fillim.

Nuk ka “mano pulite”. Ka ikur koha.

Kur të hapin sytë, kushedi çfarë do të ndodhë. Mund të mos e pranojnë se koha ka ikur.