Në një ceremoni të posaçme u certifikuan sot 28 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në aktivitetin e shpërndarjes së certifikatave, ishin të pranishëm ambasadorja amerikane Yuri Kim, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, kreu i SPAK, Arben Kraja, si dhe drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj. Për ambasadoren amerikane, viti 2021, është viti kthesës së Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kim tha se SPAK tashmë është kthyer në tmerrin e kriminelëve dhe shpresa e vendit. Ambasadorja tha se “na bën të gjithëve të lumtur që shohim flamurin shqiptar, amerikan dhe të BE-së së bashku, sepse nuk mund të ketë asnjë më shumë shpresëdhënëse”.
“Qëndroni të sigurt që kur të punoni me partnerë të tjerë do të jetë më e lehtë dhe më e përsosur me kalimin e kohës. SHBA janë të gatshme të mbështesin përpjekjen tuaja në cdo mënyrë të mundshme. Mund të keni besim tek ne sikurse do kemi ne te ju. Në këtë 2 përvjetor të SPAK duhet të jeni krenar që jeni duke u bërë heronjtë e fëmijëve, dhe tmerri i kriminelëve. Ata që kishin menduar se kurrë nuk do të kapeshin, ata që kishin menduar se mund të arratiseshin, që kane menduar se kishin mik, të afërm, para, që kurrë nuk do të mbaheshin llogaridhënës për krimet e tyre, atyre ditëve po u vjen fundi. Ju jeni shpresa e vendit dhe për ketë ju përgëzoj”, tha ambasadorja.
Nga ana tjetër ambasadori i BE-së, Luigi Soreca tha se SPAK tashmë ka bërë hapa inkurajuese edhe në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë. Sipas tij më parë prokurorë dhe gjyqtarë kanë qenë të presionuar nga politika dhe krimi por tashmë janë këta të fundit që po tremben.
Kreu i SPAK Arben Kraja ka deklaruar se në prill të vitit 2022 do të plotësohet struktura e Byrosë Kombëtare të Hetimit me 32 anëtarë, ndërkohë që tashmë është bërë e ditur që në janar SPAK do bëhet me 17 prokurorë.
“Para dy vitesh ishim vetëm 8 prokurorë, në janar bëhemi 17. Në muaj prill të vitit të ardhshëm presim të plotësohet struktura e BKH me 32 hetuesit e grupit të dytë. Kemi ngritur në SPAK qendrën e përgjimeve dhe laborator digjital”, u shpreh Kraja.
Kraja iu përgjigj edhe kritikëve në lidhje me punën e prokurorëve të SPAK.
“Edhe ata qe na kritikonin tani duan të na ngarkojnë detyra shtesë. Kjo është shenjë e rritjes së besimit”, tha Kraja.
Drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj tha se prioritet i punës së tyre do të jetë kualifikimi i hetuesve të agjentëve të BKH-së.
28 hetuesit e BKH pasi përfunduan trajnimin filluan zyrtarisht detyrën më 9 gusht. Ata zhvilluan në Romë trajnimin intensiv dhe të specializuar nga DIA italiane (Drejtoria e Antimafias) për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Rrugëtimi i hetuesve të BKH filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë përfshin teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës. BKH është një i institucion i ri i dalë nga reformën në drejtësi dhe është pjesë e SPAK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Aktualisht BKH ka 28 hetues, nga 60 që duhet të jenë në total.