Frrok Çupi/

Shqiptarët mos i quani ashtu si më parë, vetëm ‘pro- amerikanë’. Po flas për shqiptarët e politikës dhe të fesë. Ardhja në fuqi e Donald Trump, dhe më në fund akti i tij kundër terrorizmit Iranian, shërbeu si ‘lakmues’ kimik për të dalluar kush po priste në gëmushë si lepuri për të ngritur veshët kundër.

Ja ku i kemi, që sot madje, para se presidenti Trump të dilte para kombit dhe të deklaronte se ‘Irani ra në gjunjë!’, se Irani ‘bëri sikur sulmoi, por kërkoi ‘aman mos e çojmë më tej!’. Kjo ishte e tëra, që presidenti Amerikan, si kurrë në histori, mes histerisë anti- Trump, tha se ‘çdo gjë është mirë!’.

Po pasi Trump dëshmoi para Amerikës dhe para Botës se Amerika e tij e fitoi për pesë minuta luftën kundër terrorizmit Iranian?… Në këto momente, me siguri ‘lepujt’ i kanë ulur prapë veshët prapa gëmushës…

Kështu ka ndodhur me politikanët tanë në jetë të jetëve: Kur mikun e shikojnë të dobët, atëherë e sulmojnë si ‘armik’ dhe e mundin me imagjinatë. Që do të thotë se në idenë e tyre ‘miku’ ka qenë gjithnjë armiku i tyre, por janë shtirë ndryshe.

Ja kategoritë anti Trump si u manifestuan që nga e premte, 3 janar, kur Amerika vrau gjeneral Sulejmani.

Kategoria e parë:

Një analist me fe kristiane i shpallur ‘anti- kristian’, që ka marrë në lule të ballit vetë Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën dhe Ismail Kadarenë, të hënën tha në një televizion kombëtar se ‘Trump është terroristi’ më i madh i botës. Ai thuajse bëri thirrje, në krah të Iranit, që të ‘zhduket Trump… Por këtë e bëri në një ekran kombëtar shqiptar. Kategoria që alternohet papritur në besime dhe në anësi përkundër të mirës botërore, ka ekzistuar edhe në Luftën e  Dytë e në Luftën e Parë, madje edhe në Luftën e Ftohtë. Sidomos gjatë Luftës së Ftohtë.  Por kur komunistët u burgosen ata dolën nga burgu jo si anti- komunistë, por si Marksistë ekstrem.

Kategoria e dytë:

Një imam i njohur si esktremist që kërkon ndëshkimin e kristianëve që nga ceremonitë në xhamitë e Tiranës, u shfaq po në ekranin kombëtar shqiptar dhe bëri thirrje që shqiptarët të vihen në anën e liderit të Iranit kundër presidentit të Amerikës Donald Trump. E njëjta gjë ndodhi edhe me një grua në Kosovë, e cila bëri thirrje për mobilizimin kundër Trump. Por gruaja në Kosovë është arrestuar dhe ndodhet në burg, ndërsa këta prapa gëmushës ende. Misionarët e ideologjisë terroriste Islamiste kësaj here kanë ‘gjetur rast’ që në emër të besimit të sulen kundër Trump të Amerikës. Edhe këta njësoj si marksistët, mendojnë se erdhi dita…

Kategoria e tretë:

Komunistët e alternuar në ‘demokratë’. Ish ministër i jashtëm në qeverinë e Partisë Demokratike, sot, po nga ekrani shqiptar sulmoi Donald Trump mbi urdhrin e tij mbi sulmet në Iran, duke thënë se ‘Trump shkeli Protokollin’. Cilin protokoll?… nuk e tha. Elitat politike liberale gjithnjë kanë ruajtur protokollet, por jo mirëqenien dhe sigurinë e kombeve të tyre… Në të njëjtën linjë ai tha me mërzitje se ‘Irani sulmoi sa për sy e faqe’,  duke nënkuptuar se nuk bëri atë që duhej të bënte kundër Trump. Në gjithë jetën e tyre zyrtarët komunistë kanë dëshmuar ‘veshë të ngritur’ se cila nga superfuqitë po dobësohet. Nëse dobësohej Jugosllavia hidheshin në  Bashkimi Sovjetin, nëse dobësohej B.S., hidheshin në Kinë, nëse Kina nuk ishte e mirë- izolonin kombin.

… Ja kjo është. Por tani është pasdite vonë, kur Trump natyrshëm nuk mund të dobësohej nga terrorizmi Iranian, dhe këto kategori mund të bëjnë tjetër gjë me ‘veshët’.

Veçse zyrtarët e lartë që i pret SPAK apo BKH, nuk kanë reaguar me gëzim, sepse ata janë më të rafinuar, e dinë se është shpejt të mendojnë se ‘Irani mundi Amerikën’.

Ja ku e kemi pro- amerikanizmin siç është në detaje, e shikoni?!.

VERITAS.COM.AL/