Kolegji Zgjedhor rrëzoi të hënën kërkesë-padinë e grupit demokrat të drejtuar nga Berisha për të çregjistruar nga gara elektorale e zgjedhjeve të 14 majit subjektin zgjedhor me të njëjtin emër, përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj.

Relatorja e çështjes, Blerona Hasa tha se trupa gjyqësore pasi mori në shqyrtim prapësimet e palëve dhe analizoi shkaqet e dhëna në themel të vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), që ishte objekt padie, vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë.

Vendimi i Kolegjit i jep kështu fund sagës ligjore mes dy grupimeve brenda partisë më të madhe të opozitës në prag të zgjedhjeve lokale, pasi më parë KAS i kishte njohur të drejtën ligjore grupimit Basha-Alibeaj për t’u regjistruar në emrin e PD-së si subjekt zgjedhor.

Seanca e shqyrtimit në kolegj përballi argumentet e dy palëve dhe të KQZ-në.

Përfaqësuesi ligjor i grupit Basha-Alibeaj, Indrit Sefa, pretendoi se pala tjetër nuk kishte legjitimitet si subjekt zgjedhor, duke i kërkuar trupës gjyqësore moslegjitimim të palës paditëse.

“Nuk ka asnjë akt gjyqësor ligjor që vërtetohet se Sali Berisha është kryetar partie dhe kështu kjo palë nuk mund të këtë tagrin e një subjekti zgjedhor,” tha ai.

Për përfaqësuesin ligjor të palës paditëse, Ledio Nuraj,  kërkesa për deligjitimim ishte e paargumentuar në fakte. “Berisha ka interes për përfaqësim, si i zgjedhur i PD. Çështja është gjykuar e përbashkët si nga KQZ edhe nga KAS,” u shpreh ai.

Moslegjitimin e paditësit si subjekt zgjedhor e mbështeti dhe përfaqësuesja e KQZ-së, Pavlina Doçaj, e cila tha se as KQZ nuk e kishte legjitimuar si subjekt zgjedhor dhe as si parti politike në vendimet e marra nga Komisineri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe KAS.

Palët sollën dhe një herë para Kolegjit argumentet e tyre për përkatësinë juridike të emrit të partisë.

Konflikti mes dy grupimeve në PD lindi në shtator të vitit 2021, kur ish-kryetari Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pasi ky i fundit u emërtua si person i përfshirë në korrupsion madhor nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

I zemëruar, Berisha nisi një fushatë të cilën e emëroi “Rithemelimi”, e cila kulmoi me një sulm fizik kundër selisë së partisë. Më tej, ai thirri Kuvendin e Partisë jashtë strukturave ekzistuese dhe arriti të marrë kontrollin e zyrave qendrore.

Grupi kundërshtar u dobësua më tej pas zgjedhjeve të pjesshme për pushtetin vendor në mars 2022  dhe Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë.