Komisioneri për zgjerimin i Bashkimit Evropian Johannes Hahn, me të mbërritur në Luksemburg për mbledhjen e sotme të Këshillit të Punëve të Jashtme, ka folur për gazetarët prezentë jashtë dyerve ku do të zhvillohet mbledhja, duke kërkuar fuqimisht nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian të bëjnë ç ‘është e mundur të pranojnë çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Johannes Hahn, duke i dërguar një mesazh të qartë Parisit dhe Hagës, si dy vendet më skeptike për këtë proces, tha se nëse një hap i tillë nuk ndodh, do të vendoset në rrisk perspektiva evropiane e rajonit, dhe po ashtu, do të humbë besimi te këto vende se Komisioni Evropian mban premtimet.

Ai përmendi faktin se lidershipi i këtyre dy vendeve, ka treguar një lidership të vërtetë, raporton newsbomb.al.

Po ashtu Tomas Petricek, ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, përpara se të hyjë në mbledhje sot paradite ka deklaruar se vendi i tij e ka mbështetur procesin e zgjerimit të Ballkanit në BE. “Maqedonia e Veriut ka bërë një marrëveshje historike me Greqinë.

Për ne është e rëndësishme që tua hapim negociatat për bisedimet për anëtarësim. Shoh gjithashtu edhe debatin aktual në disa vende anëtare.

Megjithatë kam folur me kolegët francezë dhe holandezë rreth rëndësisë së garantimit të një integrimi të besueshëm për të dy vendet” tha kryediplomati çek.

E kur u pyet nga gazetarët se cili ka qenë reagimi i këtyre vendeve, tha: “Do ta shohim”, raporton newsbomb.al.

“Nuk mund të flas për një datë në shtator, por është shumë e rëndësishme në këtë moment angazhimi i BE që do të vazhdojë procesi i integrimit” tha ai.

Ministrat e Jashtëm të BE u takuan në 17 qershor në Luksemburg për të diskutuar çështje aktuale të politikës së jashtme, efektivitetin e reformës së përbashkët të jashtme dhe Sudanin.

Ata kanë pasur edhe bashkëbisedim me ministrin e jashtëm të Jordanisë për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Ndërkohë që vazhdon lobimi për anëtarësimin në BE të dy vendeve, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Pyetjet drejtuar Johannes Hahn, dhe përgjigjet për çështjen e Ballkanit:

Sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Është shtatori një kompromis I duhur?

Nuk më pëlqen termi “kompromis”. Ndoshta është diçka që duhet ta pranoj sepse nuk është vendimi im. Propozimi im është se kur një vend ka zhvillim, edhe ne gjithashtu duhet të ecim përpara. Çdo lloj shtyrjeje do të vendosë gjithçka në rrezik dhe mua nuk më pëlqen që të kemi rreziqe, kur nuk është e nevojshme të kemi të tilla.

 

Cili është mesazhi juaj për Parisin dhe Hagën?

Mesazhi im për çdokënd është që të kuptojë që situata rajonale në perspektivën e plotë evropiane është se çdo vend ka investuar gjithçka në perspektivën evropiane.

Lidershipi ka treguar kurajë dhe lidership të vërtetë. Dhe nëse kjo nuk ia vlen, ne do të humbim jo vetëm përgjegjshmërinë, por edhe kredibilitetin.

Gjithçka që kemi investuar në këto vitet e fundit do të vendoset në risk nëse ne nuk jemi të angazhuar të mbajmë premtimet tona.

Veritas.com.al/