Dy vëllezër janë konfliktuar me njëri-tjetrin në zonën e plazhit në Radhimë të Vlorës. Bëhet fjalë për vëllezërit Beniamin Kondi dhe Eduart Kondi, pronarë të një plazhi në zonën e Radhimës, të cilët janë konfliktuar për administrimin e tij. Mësohet se Eduardi ka qëlluar mbi Beniaminin, i cili ka ardhur mbrëmë nga Anglia në plazhin që administrohej nga vëllai i vogël. Nga parkimi Eduardi ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në drejtim të tij ( 5-6 herë).
Mësohet se Eduardi është arrestuar në një banesë në Lungomare dhe po shoqërohet në komisariat.
Fatmirësisht nuk ka të plagosur, por kjo ngjarje ka ngjallur frikë dhe panik te pushuesit që ishin duke pushuar në atë moment.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal në plazh, mes kilometrit 7-8 në aksin Vlorë Radhimë. Dëshmitarët okularë tregojnë se personi që ka shtënë ka ardhur nga parkingu i plazhit.
“Sot, rreth orës 12:30, në Radhimë, në afërsi të plazhit, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri. Po kryhen verifikime nga shërbimet e Policisë, nëse ka persona të dëmtuar. Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit”, tha policia.
Njoftimi i Policisë së Vlorës
Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga A2 CNN, lokali buzë detit ishte në pronësi të vëllezërve Kondi. Njëri prej tyre – i cili mësohet se sapo ishte kthyer nga Anglia – raportohet se ka ardhur nga parkimi drejt lokalit dhe ka qëlluar në drejtim të vëllait. Ndërkohë, një tjetër vëlla i tyre mësohet se është duke vuajtur dënimin me burg si i përfshirë në një vrasje.
Një turist norvegjez ka treguar për A2 CNN detaje nga ngjarja në Radhimë, ku paraprakisht raportohet për persona të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. “Dëgjuam të shtënat dhe vrapuam. Ishin dy ose tre të shtëna”, tregon ai. “Nuk pamë asgjë, nuk e di nëse ka mbetur njeri i plagosur. Isha pak i trembur, por dridhesha. Isha me familjen”.