Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew ka mbërritur në Tiranë dhe takimin e parë e ka kryer me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorë të tjerë të këtij institucioni. Në një kohë kur SPAK dhe drejtuesi i tij është vënë në qendër të sulmeve nga opozita e Sali Berishës dhe Ilir Metës, Nephew ka konfirmuar se SHBA mbështet institucionet e drejtësisë, sipas së cilit po forcojnë demokracinë në vend.
Koordinatori për Anti-Korrupsionin ka zhvilluar takim edhe me përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publikë.
“Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew pa sot në veprim institucionet gjyqësore shqiptare gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Nephew dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së”, njofton SHBA.