(Autobusi qe u sulmua mbreme ne Gllogjan te Deçanit)
Policia e Kosovës, pas të dhënave të para në procesin hetimor që po vazhdon, për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit, ka ardhur në përfundimin se autobusi me nxënës u sulmua nga vetëm një person me armë zjarri të tipit kallashnikov.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka treguar për Albanian Post se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.
Ai gjithashtu ka refuzuar të tregojë se bazuar në çfarë të dhënash policia ka ardhur në përfundimin se ishte sulmues i vetëm ai që vrau dy nxënësit dhe shoferin e autobusit.
“Për momentin nuk mund të flasim më shumë, por po hetojmë secilën pistë të dyshimit që është për t’u hetuar. Gjithçka”, ka thënë Elshani për AP.
Ndërsa policët që po qëndrojnë në vendin e ngjarjes, të cilët nuk janë të autorizuar të flasin zyrtarisht për media, i kanë thënë ekipit të Albanian Post se parë edhe nga trajektorja dhe vendi ku kanë përfunduar plumbat, cak ishte shoferi i autobusit.
Kjo për arsye se plumbat kanë goditur rreth perimetrit ku qëndron shoferi. Gjithashtu, ekipit të AP-së i është thënë se janë shkrepur gjithsejtë pesë plumba.
Të gjithë ata kanë qenë të shkrepur në anën e shoferit. Mësohet gjithashtu se shoferi që mbeti i vdekur në vend ishte goditur në kokë, derisa dy nxënësit në pjesë të tjera të trupit.
Ndërsa i plagosuri që po trajtohet në Spitalin e Pejës ishte goditur në këmbë.
“Mbrëmë e kemi operuar dhe gjendja e tij është stabile. Ka qenë i plagosur në këmbë, për momentin nuk ka ndonjë rrezikshmëri për jetë dhe operimi ka përfunduar me sukses”, ka deklaruar për AP-në Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti.
Për sulmin e mbrëmshëm ka folur edhe një prind i njërit nga nxënësit që ishte në autobus.
Ai ka refuzuar të jap emrin e plotë, porse ekipit të AP-së në Gllogjan i ka thënë se ishte djali i tij që kishte lajmëruar policinë dhe i kishte dërguar gjithashtu atij mesazh në telefon se janë sulmuar.
Edhe ai deklaron se – ashtu siç i ka treguar djali – sulmuesi ishte i vetëm dhe i maskuar.
AP mëson gjithashtu se policia po mbledhë të gjitha kamerat e sigurisë – edhe ato të shtëpive private, për të hetuar se kah ka mundur të ikën dorasi.
Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka pasur të dhëna të tjera për hetimet, kjo edhe për arsye se mund të dëmtohen ato, porse kanë bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.
Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.
Në ndërkohë në komunën e Deçanit është njoftuar për një marsh protestues si solidarizim me viktimat dhe familjet e tyre.
“Ju ftojmë që sot, në orën 16:00, të takohemi në qendër të qytetit, për të ndezur qirinj në shenjë proteste dhe solidarizimi me familjet që mbrëmë tragjikisht humbën më të dashurit e tyre”, thuhet në njoftimin e shpërndarë edhe nga kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj. /Albanianpost.com