Gjykata supreme ka vendosur që Albin Kurti nuk do të lejohet të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në njoftimin për media thuhet se ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.
“Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, thuhet në njoftim
Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e LVV-së, për Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është konstatuar se PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar.
Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021.
Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.
Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.15/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.240-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në që kandidatin për deputet Shemsedin Dreshaj, ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.
Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e AAK-së, duke vërtetuar pjesën tjetër të vendimit të PZAP-së.
Edhe në rastin e pranimit të pjesshëm të ankesës së AAK-së, bëhet fjalë për vlerësimin e gabuar të afatit 3 vjeçar, ndërkohë që duhet referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç, e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021.
Ndërkaq, ankesa e ushtruar nga subjekti politik Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), është refuzuar si e pathemeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.
Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS), është refuzuar në tërësi e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme
VERITAS.COM.AL