Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një letren publike të premten, ka njoftuar zyrtarisht se do të bojkotojë Radio Televizionin e Kosovës (RTK), deri në anulimin e procesit të përzgjedhjes së drejtorit të ri të transmetuesit publik.
“LDK solidarizohet me gazetarët dhe të gjithë punëtorët që kanë punuar shumë dhe kanë informuar të gjithë qytetarët tanë drejt dhe në mënyrë të pavarur. Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur”.
“Prandaj, LDK edhe njëherë kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë, dhe derisa sa kjo të ndodhë, LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues”, thuhet në reagim.
Ndryshe, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi te enjten se ai dhe partia e tij do të bëjnë bojkotin e plotë të RTK-së pasi emërimi i Rilind Gërvallës – aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2009- në krye të transmetuesit publik është i papranushëm.
“Kemi një militant partiak, ideologjikisht shumë i ngarkuar që vihet në krye të televizionit publik dhe askush nuk thotë asgjë. Nuk mund të qëndrojmë pa bërë asgjë. LDK do ta bojkotojë këtë televizion”, tha Abdixhiku.
Depolitizimi apo ndryshe, siç shprehej Lëvizja Vetëvendosje, “ç’kapja” e shtetit ishte njëra nga kauzat që VV-ja do ta proklamonte gjatë qëndrimit të saj në opozitë. Me ardhjen në pushtet, ky fenomen vazhdon të jetë mjaft i përhapur dhe i aplikuar edhe nga vetë ata.