Koment/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zyrtarisht e ka ftuar Albin Kurtin e LVV për të marrë mandatin e krijimit të qeverisë së re.

Presidenti Hashim Thaçi ka ftuar zyrtarisht liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë. Por kryetari i LVV ka gjetur pretekste për të mos e marrë mandatin

Sipas njoftimit, takimi do të mbahej sot në orën 13:30 në kabinetin e Presidentit të Kosovës.

“Ju ftoj që të merrni pjesë në takim konsultativ për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë. Në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1. të Kushtetutës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë”, thuhet në ftesën e Thaçit dërguar Kurtit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vendosi të mos i përgjigjet ftesës së presidentit Hashim Thaçi për takimin ku pritej të ndodhte mandatimi për kryeministër.

Në një përgjigje për KTV-në Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kurti e ka të pamundur sot të takohet me Thaçin pasi ka obligime jashtë kryeqytetit.

“E ka të pamundur kryetari të shkojë sepse është jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë Presidentin për orët dhe ditët kur mundet”, thuhet në përgjigjen e VV-së.

LVV e gjeti veten të pa përgatitur për të krijuar koalicion qeverisës, madje edhe për të qeverisur. Kjo forcë politike që doli e para, pas LDK me një deputet diferencë, ka për obligim që të krijojë qeverinë e koalicionit, por ka dështuar. Taktika për të shtyrë marrjen e mandatit e shtyn edhe kohën për krijimin e qeverisë së re. Kosova mund të krijojë një koalicion tjetër ose të shkojë në zgjedhje të reja…

Veritas.com.al/