Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në një intervistë për KosovaPress, thotë se veprimi- siç e cilëson të ‘njëanshëm’ për propozimin e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit, e më pas votimin e tij, ka lënë pasoja në negociatat e tyre.

Sipas tij, palët nuk duhet të kthehen në pikën zero të bisedimeve dhe t’i hedhin poshtë gjitha diskutimet paraprake.

Haziri për KosovaPress flet edhe për mundësitë e rikthimit të postit të kryeparlamentarit, votimin e qeverisës së pakicës, insistimin në postin e presidentit dhe zgjedhjet e reja.

Mbi kërkesat e reja të LDK-së, pas votimit të nënkryetarit të VV-së për kryeparlamentar, Haziri nuk jep detaje, por thekson se situata ka ndryshuar dhe të gjitha duhet të diskutohen brenda tavolinës së bisedimeve me partinë fituese  të zgjedhjeve.

Për këtë arsye, zërat për rikthim të kryetarit të Kuvendit, nënkryetari i LDK-së, i cilëson si lojëra të fëmijëve dhe që nuk sjellin zhbllokimin e situatës.   Edhe pse dje u mohua që LDK do të votonte për qeverinë Kurti dhe të qëndrojë në opozitë, Haziri i bën thirrje VV-së se qysh nesër të sjellë kabinetin qeveritar në Kuvend dhe votat e LDK-së do t’i kenë.

Për deklaratën e Kurtit, se presidenti Thaçi nuk e përcakton formimin e qeverisë, por LDK-ja,  nënkryetari i kësaj partie përsërit se emri i kryeministrit kalon nga zyrat e tyre.

Nënkryetari i LDK-së vazhdon të insistojë se posti i presidentit do t’iu takojë atyre, pasi sipas tij, nuk është e shëndetshme që një parti t’i ketë disa poste kryesore kushtetuese.

Për këtë, Haziri thotë se ka rrezikim edhe nga presidenti aktual, i cili mund të jetë propozim i PDK-së. Haziri u shpreh kundër zgjedhjeve të reja. Për këtë u shpreh se do të punojnë për t’i shmangur ato në arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës./KosovaPress/

Veritas.com.al/