Pas dy javësh që nga takimi i fundit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i janë kthyer sërish tavolinës së bisedimeve.
Nga takimi i paparalajmëruar e i cili ka zgjatur rreth tri orë, asnjëri nga liderët nuk kanë pranuar të shpalosin detaje, raporton KTV.
Derisa ishte duke u larguar nga Kuvendi i Kosovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka qenë i hidhëruar me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Para takimit me LDK-në, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së saj.
Pas mbledhjes, zyrtarët e Vetëvendosjes, nuk treguan nëse do të dërgojnë te Presidenti propozimin për mandatar, gjë për të cilën edhe ishin mbledhur për të diskutuar.
Megjithëkëtë, kryetari i saj, Albin Kurti, paralajmëroi se anëtarët e kryesisë së Vetëvendosjes do të mblidhen sërish të mërkurën.
Po të mërkurën pritet edhe vazhdimi i takimit mes Kurtit e Mustafës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për herë të fundit janë takuar më 24 dhjetor, dy ditë para konstituimit të Kuvendit.
Në atë takim ishte bërë i qartë dështimi i marrëveshjes mes palëve.
VERITAS.COM.AL/