Prokurori Arben Kraja deklaroi se është zbatuar e gjithë procedura në lidhje me ish kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv për privatizimin e ish kompleksit sportiv, Partizani.
Në mbledhjen e Komisionit të Mandateve, ku po diskutohet për heqjen e imunitetit të Berishës, Kraja tha se Berisha vetë ka ankimuiar dy masat e sigurisë ndaj tij, madje ka firmosur.
Kërkesa për ashpërsim të masës, sipas Krajës, ka ardhur për shkak se Berisha nuk u paraqit pranë organeve të drejtësisë, ashtu siç iu kërkua.
Kraja shtoi se nuk ka pasur ndikim të jashtëm për këtë çështje.
“Ne kemi paraqitur në relacion pak a shumë hapat, por edhe në vendimmarjen që ju dispononi, janë 3 vendime gjykate, që pasqyrojnë në mënyrë të qartë, është zbatuar procedura, është bërë ankim nga avokatët, edhe ankim nga personi në hetim, ka firmosur vetë ankimin kundër masave të sigurisë, që është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit. Nga pikëpamja formale procedurale, është zbatuar procedura dhe jemi në këtë fazë ku jetmi sot. A jemi ndikuar në vendimmarje? Nuk ka asnjë ndikim të jashtëm. Gjykata në fund do vendosë. Çdokush prezumohet i pafajshëm deri sa të kemi një vendim të formës së prerë nga gjykata.
Është ezauruar e gjithë procedura, kanë kaluar 3 raste, edhe sot, 4 raste të refuzimit të hapur për të njohur institucionet e drejtësisë nga personi nën hetim, Sali Berisha. Kemi vlerësuar edhe qëndrimin e Apelit, na jep të drejtë në atë që kemi kërkuar. Vendimmarrja është e juaja, ne nuk na pengon që të vazhdojmë hetimin”, theksoi prokurori Kraja.