Kreu i komisionit për punët e jashtme në PE, David McAllister i kërkon BE-së t’i kushtojë vëmendje përkeqësimit të situatës politike në disa vende ballkanike- sipas Televizionit ABC News.
Për Shqipërinë, ai thotë se duhet mbështetur jo vetëm qeveria por edhe opozita, për të pasur një demokraci cilësore.
Pyetje nga gazetarja Erisa Zyka:
Situata e tensionuar në Ballkan ka qenë temë diskutimi të samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian. Sipas jush, çfarë duhet të bëjë më shumë Bashkimi Europian për vendet e Ballkanit apo është sfidë e përbashkët?
David Mcallister, Eurodeputet:
E mirëpres faktin, që kryetarët e shteteve dhe të qeverive i kushtuan një pjesë të kohës së tyre diskutimit mbi Ballkanin. Ballkani Perëndimor duhet të mbetet një prioritet kyç i politikës sonë të fqinjësisë.
Nëse shohim të gjashtë vendet e Ballkanit, ato janë rrethuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe kanë një perspektivë europiane. Të gjashtë vendet e Ballkanit po rrugëtojnë drejt Bashkimit Europian me shpejtësi të ndryshme, por secili nga shtetet do të ketë shansin që një ditë të bëhet anëtar i BE-së. Sigurisht që është e vështirë të anëtarësohesh në Bashkimin Europian. Kjo do të marrë një kohë të gjatë.
Si raportues për Serbinë, e di shumë mirë se për çfarë flas. Serbia është në rrugën e saj drejt BE-së, ne po hapim me radhë një kapitull pas një tjetri, por kjo do marrë kohë. Eshtë një detyrë e vështirë dhe duhen përmbushur kriteret që janë vendosur. Shpresoj që do të mund të hapim kapitujt e parë të negoiatave të anëtarësimit me Shqipërinë më së voni në fillim të vitit të ardhshëm. Por ky është një vendim që nuk është në duart e Parlamentit Europian.
Por mezazhi që Bashkimi Europian po dërgon përmes vizitave të komisionerit Hahn, turit së përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe diskutimit në Këshillit Europian është që ne po i kushtojmë vëmendje rajonit. Situata politike në disa vende të Ballkanit po e përkeqësohet. Ju e përcaktuat të tensionuar. Ne duhet t’a marrim këtë shumë seriozisht, sepse bëhet fjalë për fqinjët tanë më të afërt.
Pyetje:
Ju jeni kryetar i komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian dhe si raportues për Serbinë e dini shumë mirë që vendet e Ballkanit kanë një problem të theksuar të kulturës demokratike. Si sfidohet kjo? Duhet një tjetër qasje nga BE-ja apo u takon vetë vendeve të zgjidhim problemet?
David Mcallister, Eurodeputet:
U takon vendeve të Ballkanit që të vendosin nëse duan të bëhen pjesë e familjes europiane. Për këtë duhen të pranojnë sistemet tona politike dhe të ndajnë të njëjtat vlera të përbashkëta me ne. Sigurisht që u takon qeverive, forcave politike në Parlament që të japin udhëzimet dhe orientimet për integrimin europian, ashtu siç ne kemi përgjegjësinë që të mbështesim forcat politike që duan t’i bëjnë vendet e tyre pjesë të BE-së. Nuk është vetëm në interesin tonë që të kemi anëtaë të rinj siç ndodhi me Kroacinë në 2013, por është gjithashtu në interesin e vendeve që duan të anëtarësohen. Eshtë në interesin e sistemit politik, shoqërisë civile, të biznesit dhe të çdo qytetari, pasi koncepti i Bashkimit Europian përqëndrohet mbi të gjitha te qytetari. Koncepti i Bashkimit Europian është me pak fjalë, që ne mund të udhëtojmë, të studjojmë, të punojmë kudo që të dëshirojmë në Bashkimin Europian. Ndaj, jam një europian kaq i bindur.
Pyetje:
Ju keni prezantuar disa amendamente në kuadrin e rezolutës Fleckenstein për Shqipërinë. A është e rëndësishme në kënvështrimin tuaj që vendi të përmbushë 5 prioritetet kyçe dhe të provojë që mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme?
David Mcallister, Eurodeputet:
Kam një bashkëpunim shumë të mirë me Knut Fleckenstein, edhe pse ai vjen nga një familje e ndryshme politike. Kjo provon, që kristiademokratët dhe socialdemokratët edhe pse nuk janë pjesë e një familjeje politike dhe shumë herë kanë mosmarrëveshje, bashkëpunojnë për çështje të brendshme dhe çështje europiane.
Për Shqipërinë janë të vlefshme të njëjtat parime që përdorim për Serbinë. Bëhet fjalë për forcimin e të drejtat themelore në fillim të proçesit të negociatave. Prioritete kyçe për një proçes negociatash anëtarësimi janë shteti ligjor, forcimi i demokracisë, forcimi i të drejtave të minoriteteve, të drejtat e njeriut, të drejtat e opozitës, liria e medias.
Këto janë kyçe për një shtet të bazuar në shtetin ligjor dhe demokracinë. Dhe nuk mund të ketë vetëm një qeveri pa opozitë, Nuk mund të ketë një demokraci pa opozitën. Ndaj është shumë e rëndësishme që të mos forcohet vetëm qeveria, por edhe opozita. Cilësia e një demokracie në një vend lidhet fort me të drejtat e opozitës. Ndaj do ta këshilloj gjithmonë Shqipërinë, që të mos harrojnë që qeveria dhe opozita kanë nevojë për njëra tjetrën.
Opozita është aty për të kontrolluar qeverinë dhe në demokraci është normale që kohë pas kohe të ketë ndryshim pushtetesh. Kjo është normale në Perëndim dhe kjo duhet të jetë po aq normale në Ballkanin Perëndimor. Por është po aq e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim të mirë midis qeverisë dhe opozitës për çështje të rëndësishme dhe qëllimi dhe interesi i përgjithshëm i anëtarësimit të Shqipërisë në BE duhet të mbështetet nga çdo politikan i përgjegjshëm.
https://youtu.be/cXnM_MTUNSo